
Në kuadër të mbledhjes së përbashkët të qeverive shqiptare dhe malazeze, kryeministrat Edi Rama dhe Dritan Abazovic mbajtën një konferencë për shtyp.
“Shqipëria dhe Mali i Zi janë më shumë sesa fqinj, dhe mund të bëjmë shumë më tepër sesa kanë bërë deri më sot, takohemi në një moment sfidues, vlera e kësaj ngrohtësie që morëm sot bëhet edhe më e madhe. Kemi parë që BE-ja është bërë më në fund më i hapur dhe i ndjeshëm mbi rajonin, kemi parë si çelëm negociatat së bashkë me Maqedoninë e Veriut, si Kosova mori një datë për heqjen e vizave, dhe pamë si BE-ja u spostua jashtë BE-së për të mbajtur një samit në Tiranë, apo në Malin e Zi u mbajt Këshilli për Stabilizim dhe Përafrim me BE-në”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit shqiptar, “BE-ja një korsi e përbashkët, shpejtësia e të cilës varet nga bashkëpunimi rajonal, në këtë pikë, Shqipëria dhe Mali i Zi janë plotësisht të angazhuara”, dhe dha edhe një lajm për organizimin e dy samiteve të rëndësishme.
“Falënderoj kolegun tim për angazhimin në vetë të parë, si dhe për shprehjen e dëshirës për organizimin e një samiti të Ballkanit të Hapur në Mal të Zi në qershor, ndërkohë që procesi i Berlinit do të ketë samitin e vet në Tiranë në fillim të vjeshtës, me datë për t’u përcaktuar pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Ballkani i Hapur i domosdoshëm për të jetësuar në mënyrë më të shpejtë parimet dhe kërkesat që burojnë nga procesi i Berlinit, kaq e thjesht është. Të gjithë do të ftohen, nuk ka asgjë njëra kundër tjetrës, nuk mund të mjaftohemi me lidershipin e Berlinit në një proces që është i Ballkanit”, ishin fjalët e tij.
Rama prezantoi edhe projektet më të rëndësishme të miratuara në mbledhjen e sotme, si dhe disa iniciativa të tjera bashkëpunimi. “Sot kemi nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme për jetësimin e këtij plani me ndërtimin me fonde të përbashkëta të urës mbi Bunë mes Ulqinit dhe Velipojës, që çon në 300 metra largësinë mes tyre, nga dhjetëra kilometra që është.
Lajmi tjetër i mirë është që ka filluar puna për konsorciumin midis Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Kroacisë për ndërtimin e gazsjellësit Adriatiko- Ionian, i cili mund të përshpejtohet vetëm mes bashkëpunimit. Rama deklaroi se është menduar edhe në përshpejtim ndërqeveritar për hekurudhën dhe korridorin blu, por edhe për fillimin e punimeve që do të mundësojnë fillimin e lundrimit si transport mes dy vendeve”.
Rama falënderoi homologun malazez edhe për shpejtësinë e ndërhyrjes në rastin e shëmtuar të dhunës ndaj profesorit Petraq Milo nga policia kufitare e Podgoricës , të cilët më vonë u vunë në gjendje arresti dhe në hetim. (A2 Televizion)