
Këtë pasdite është mbledhur Këshilli Politik, organi i dakordësuar në marrëveshjen mes mazhorancës dhe opozitës që do të autorizojë platformën e punës për procesin e Reformës Zgjedhore.
Kjo e sotmja ishte një mbledhje konstituive e Këshillit Politik, i përbërë nga 10 anëtarë, që janë dakordësuar për të nisur menjëherë punën pa humbur kohë, pasi kanë një afat, 15 marsin. Nga e hëna pritet që të mblidhet grupi i ekspertëve dhe do t’i dërgohet kërkesë OSBE-ODIHR-it që të ketë një ekspert të posaçëm që do të asistojë ekspertët shqiptarë të mazhorancës dhe opozitës.
Pritet që nesër, kreu i PD-së, Lulzim Basha, pritet të takojë aleatët e tij që do të propozojnë emrat e ekspertëve që do të përfaqësojnë opozitën në këtë tryezë. Është rënë dakord që gjithçka të miratohet me konsensus, ndërsa për çështjet që nuk do të kenë dakordësi, hapi i ndërmjetëm do të jetë misioni i OSBE/ODIHR-it.
Çështja e sistemit zgjedhor, që ka ngritur debat ditët e fundit, do të diskutohet në këtë tryezë.
“Kjo tavolinë formale ka dhënë bekimin e saj për diskutimin e sistemit zgjedhor”, tha Damian Gjiknuri, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore.
“Sistemi kërkon kohë dhe dakordësi nga të gjithë, por nuk është përjashtuar nga tryeza. Është diçka për t’u parë”, theksoi Rudina Hajdari, bashkëkryetare i Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Ndërsa përfaqësuesi i opozitës në tryezë, Oerd Bylykbashi deklaroi se puna duhet të nisë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it: “Lufta kundër shitblerjes së votës, presioni mbi punonjësit e administratës, keqpërdorimi i Policisë së Shtetit… Këto janë çështjet prioritare”.
Ndërkohë, kreu i PR-së, Fatmir Mediu ka kërkuar rol më aktiv të Këshillit Politik. (A2 Televizion)