
Bashkitë e mbetura pa kryetarë kanë nga kjo e hënë 6drejtuesë të emëruar nga vota e zgjedhësve. Për afro 300 ditë, Vora, Rrogozhina, Lushnja, Durrësi, Dibra dhe Shkodra nuk do të qeverisen më nga kryetarë të komanduar. Partia Socialiste fitoi 5 bashki, një rezultat që padyshim kënaq të majtën, ndërsa Shkodra mbeti sërish besnike e së djathtës. Surpriza e parë në këto zgjedhje erdhi nga Vora.
Socialistët fituan me afro 70% të votave një bashki e cilësuar historikisht si bastion i djathtë. Në një votim tërësisht elektronikë, emri i kryebashkiakut u mësua brenda natës. Në Vorë mësuam se nuk ka më bastione në Shqipëri. Në Rrogozhinë, e majta do të vijojë sërish drejtimin me Edison Memolla pas ndarjes nga jeta të ish-kryebashkiakut Haxhi Memolla. Edhe këtu socialistët morën rezultatin që dëshironin.
Lushnja do të vijojë të drejtohet nga Eriselda Sefa, e cila e mori këtë detyrë në muajin korrik të vitit të shkuar, pas shkarkimit të Fatos Tushe.
Edhe në Durrës, Emiriana Sako do të vijojë drejtimin e bashkisë, detyrë që e mori në mars të 2020. Votuesit zgjodhi t’i falënderojë në rrjete sociale duke shprehur përgjegjësinë për vijimin e detyrës.
Në Dibër kandidatët demokratët u ndien të zhgënjyer nga fitorja e socialistëve. Rahim Spahiu do të jetë në krye të bashkisë me 60% të votave.
“Nuk ka ndodhur asnjëherë të fitojë e majta në Dibër, pa bërë fushatë, e të fitosh 14 mijë vota”, tha Spahiu.
E ndërsa të majtët morën kryesimin kuti pas kuti në 5 bashkitë e mësipërme, në Shkodër gara ishte më e fortë mes kandidatëve. Shkodranët i mbetën besnik të djathtës tradicionale duke zgjedhur Bardh Spahia nga koalicioni “Shtëpia e Lirisë” për të drejtuar qytetin, nga aty ku i sapo zgjedhur beson se forca e tij politike do të marr mbështetjen e shqiptarëve.
“Do të nis revolucioni nga Shkodra”, tha ai pas fitores.
Pa asnjë bashki dhe të renditur si forca e tretë në këtë zgjedhje, zhgënjimi nuk mund të fshihet në radhët e Partia Demokratike. “Ditë e tmerrshme”, u shpreh Salianji. (A2 Televizion)