Mbyllet pika kufitare e Merdares, Vuçiç viziton njësitë ushtarake serbe në Rashkë

Nga A2 CNN
28 Dhjetor 2022, 07:50 | Kosova
Mbyllet pika kufitare e Merdares, Vuçiç viziton njësitë

Asnjë sinjal për zbutje të tensioneve në veriun e Kosovës, ku pavarësisht thirrjeve të KFOR dhe EULEX, barrikadat nuk janë hequr.

Mbrëmjen e së martës, u mbyll edhe pikëkalimi kufitar i Merdarës, pasi siç njoftuan autoritetet në Kosovë, në anën serbe janë vendosur barrikada, rreth 2 km para kufirit.

Ministria për Punë të Jashtme njoftoi se grupe kriminale serbe bllokuan kufirin, ndërsa ftoi qytetarët e Kosovës dhe të diasporës të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për të hyrë në vend.

Për shkak të barrikadave të vendosura nga serbët lokalë, janë mbyllur përkohësisht edhe dy pika të tjera kufitare me Serbinë, ato në Jarinjës dhe Bërnjakut.

Ditën e martë u ngritën barriera të reja, në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut dhe në Zvecan.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili ka urdhëruar vendosjen e trupave ushtarake në gatishmëri të lartë, njoftoi se kishte vizituar disa njësi të ushtrisë serbe mes Kralevës dhe Rashkës dhe paralajmëroi një takim më përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.  

Në Rashkë, komunë që gjendet pranë kufirit me Kosovën, Vuçiç pohoi se u takua me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviq.

“Unë besoj në drejtësi dhe ligj, por më shumë se çdo gjë në urtësinë, por edhe forcën dhe vendosmërinë serbe”, shkroi ai në Instagram.

Më herët, gjatë një takimi të zhvilluar me patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe,  Porfirije, Vuçiç tha se Serbia po përpiqej të zbuste tensionet, por se Kosova nuk po tregonte gatishmëri për bisedime. 

“Diskutimet me përfaqësuesit ndërkombëtarë, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar vazhdojnë, ndërsa po punojmë për të komunikuar me ta. Në mënyrë që të ruajmë paqen dhe të arrijmë në një zgjidhje kompromisi kemi mobilizuar të gjithë njerëzit dhe resurset tona”, u shpreh presidenti serb. 

(A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/28/sherbimi-sekrete-serb-arreston-shqiptarin-me-arsenal-armesh-e-akuzon-per-terrorizem/

A2 CNN Livestream

Latest Videos