
Situata në veriun e Kosovës po merr përmasa gjithmonë e më të tensionuara, ku sot janë ngritur barrikada të reja dhe Beogradi ka shpallur gatishmërinë e ushtrisë.
Sipas politologut Beqir Shkumbini situata paraqet “aromë tensioni, por jo një tension që mund të përfundojë në një situatë që i përgjigjet veprimit të sotëm të Vucicit për ngritjen e gatishmërisë me të lartë të forcave ushtarake dhe policore”. Beqiri e cilëson si “një shantazh, por një sulm direkt i Serbisë, siç reklamohet nga mediat, është tërësisht i ulët”.
Sipas tij, “Vucic po synon që të kamufloj pozicionin e vet ndërkombëtar, për të parë gatishmërinë e KFOR në situata të caktuara, dhe së fundmi për të vendosur qeverinë e Kosovës në një pozicion sa më të jofavorshëm me aleatet ndërkombëtare. Deri më tani ata janë në limitin e vijës së kuqe, por më tej vështirë se do të shkoj. Përdoret Kisha, grupet kriminale, dhe ekziston një element tjetër interesant. Ka një frikë të qytetarëve serb që jetojnë në veri të cilët hezitojnë për të bërë deklarata edhe të thjeshta. Sido që të jetë, më i dëmtuari është pikërisht komuniteti serb që banon aty”.
Një humbës i dytë sipas tij do të jetë procesi i integrimit të dy vendeve, pasi “do të jenë në pozicione ku vështirë se mund të çojnë diçka përpara”.
Një e humbur e tretë, hipotetike, është qeveria Kurti, nëse bie në grackën e Vucic, “por deri tani nuk them se e ka menaxhuar më së miri, por është përmbajtur”.
Sipas tij, reagimi i ndërkombëtarëve paraqitet si tejet sipërfaqësor, por e habit më së shumti reagimi i Tiranës zyrtare. “Qëndrimi i Shqipërisë i çuditshëm, nuk i ka kërkuar Serbisë një shpjegim, as një denoncim të saj në organizmat ku është anëtare, as ne NATO as në Këshillin e Sigurimit, për ta trajtuar çështjen më seriozisht” , thotë Beqiri në A2 CNN, duke shtuar se reagimi i ministres Olta Xhacka që paralajmëron Serbinë të mos luajë me zjarrin, “ duket i bërë me porosi të Ramës, që nuk dëshiron të përfshihet në këtë debat”. (A2 Televizion)