Me orën që ka kaluar 19:00, është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike.
Demokratëve iu vendosën përballë Lulzim Basha dhe Gjergj Hani si alternativa për liderin e ri, me 25 mijë anëtarët, që sipas listave të reja iu kërkua ti drejtohen kutive pavarësisht përplasjeve të brendshme me grupin e deputetëve të Gazmend Bardhit.
71 qendrat e votimit u hapën në orën 08:00, me rivalët Hani dhe Basha që votuan respektivisht në zyrat qendrore të PD, dhe degën 8 në Tiranë, në një diferencë prej 60 minutash nga njëri-tjetri.
Sakaq, mbylljen e procesit e njoftoi kreu i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana, i cili në një deklaratë për mediat tha se pjesëmarrja deri në orën 17:00 ka qenë 54%.
Gjana u shpreh se procesi i votimit nuk ka hasur në problematika, duke theksuar se ai vetë por edhe anëtarë të tjerë të Komisionit Zgjedhor kanë kryer inspektime në rrethe.
“Bazuar në të dhënat operative që kemi grumbulluar deri në orën 17:00, sepse pas orës 17:00 nisur edhe nga një fluks në rritje që ka tani në orët e mbrëmjes, nuk kemi kërkuar më nga komisionet të apdejtojnë të dhënat. P[or me të dhënat e orës 17:00 shifra është diku rreth 13.700 votues, që përafron me rreth 54% pjesëmarrje. Përgjithësisht ka qenë ditë e qetë. Unë dhe disa nga anëtarët e Komisionit kemi lëvizur në terren. Unë personalisht kam inspektuar Elbasanin, Belshin, Cërrikun, Kuçovën, Beratin. Nuk ka patur probleme ka qenë ditë e qetë votimesh. Presim që të kemi edhe një rezultat më të mirë se ai që ka shënuar ora 17:00 pasi kemi të dhëna që një pjesë e anëtarëve të PD i janë afruar qendrave të votimit për të votuar”, tha Gjana.
I pyetur nëse kanë votuar demokratët me teserë partie që nuk kanë pasur emrin në lista, ai u shpreh: “Ka pasur një fluks jo të vogël individësh që kanë votuar dhe janë në lista të veçanta. U janë mbajtur emër mbiemër, numri i kartës së identitetit”.
Gazetari i A2CNN, Anesti Bajramemaj raporton ndërkohë se menjëherë pas mbylljes së procesit të votimit, ka nisur numërimi i votave. (A2 Televizion)