
Pezullimi i fluturimeve për shkak të pandemisë i ka dhënë një goditje të fortë industrisë së aviacionit. Të dhënat e fundit të Autoritetit të Aviacionit Civil, tregojnë se fluksi i pasagjerëve gjatë marsit shënoi një tkurrje të fortë me 64% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si rrjedhojë e mbylljes së kufijve.
Pavarësisht se destinacionet drejt Italisë ishin të parat që u anuluan, të dhënat tregojnë se kompanitë që fluturojnë drejt shtetit fqinj zënë edhe peshën më të madhe të tregut, me 41% të totalit.
Sa i takon pasagjerëve të prekur nga anulimi i fluturimeve, ata kanë të drejtën e një itinerari të ri nga ana e kompanisë së fluturimit, ose rimbursimin e çmimit të plotë të biletës.
Aktualisht, aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” mbetet i hapur për të gjitha fluturimet humanitare, të riatdhesimit, të ngarkesës së mallrave apo për çdo fluturim tjetër që ndihmon në kapërcimin e situatës së krijuar nga Covid-19.
(A2 Televizion)