
Gjykata e shkallës së parë e Gjirokastrës vendosi masën e sigurisë arrest me burg për 24-vjeçarin, Albi Muhollari, i akuzuar se ka mbytur nënën e tij, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e 3 qershorit në qytetin e Përmetit.
Seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura. Mësohet se vetë 24-vjeçari nuk ka dhënë asnjë deklaratë para gjykatës, ndërsa ka pranuar autorësinë e vrasjes së nënës së tij.
Avokati mbrojtës, i cili u caktua kryesisht nga gjykata, kërkoi mbylljen e 24-vjeçarit në një spital psikiatrik. Por kjo kërkesë nuk u pranua nga gjykata përsa kohë ende nuk ka një raport mjekoligjor mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Edhe pse 24-vjeçari dhe familja e tij njiheshin si njerëz të qetë në komunitet, familjarët e tij shprehen se herë pas here Albi shfaqte shenja të depresionit. (A2 Televizion)