Alma Beqiri, 46-vjeçarja që akuzohet për përvetësimin e 3 milionë eurove, duke mashtruar bizneset të cilat operonin online, është lënë në burg nga Gjykata e Korçës.
Punonjësja e postës private, e cila mashtronte klientët të cilët dërgonin porositë e tyre përmes këtij subjekti në Korçë, doli këtë të hënë para togave të zeza.
Seanca ndaj saj u mbajt me dyer të mbyllura dhe zgjati për më tepër se 2 orë.
Në fund, gjyqtarja e çështjes Thomaidha Roça, pranoi kërkesën e organit të akuzës, duke vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 46-vjeçaren.
Beqiri u arrestua 3 ditë më parë nga policia, pasi po hetohej prej disa muajsh, pas denoncimeve të bëra nga disa biznese.
Sipas të dhënave, mësohet se pasi qytetarët që kishin bërë porosi nga këto biznese merrnin pakot e tyre dhe kryenin pagesën, A.B. nuk ua dorëzonte këto pagesa bizneseve duke i mashtruar.
Nga veprimet e thelluara hetimore rezulton se 46-vjeçarja, gjatë periudhës 2021-2023, në të cilën ushtronte funksionin e agjentes së shërbimeve postare private në Korçë dhe Pogradec, dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shumën 3.000.000 euro.
Shumën e përfituar, dyshohet se Beqiri e ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të bizneseve tregtare, në emër të vet dhe të familjarëve të saj.
Në cilësinë e provës materiale asaj i janë sekuestruar 2 automjete. (A2 Televizion)