Më i fortë se sëmundja, Max Parrot fiton arin olimpik

Nga A2 CNN
7 Shkurt 2022, 18:00 | Futboll

Histori e jashtëzakonshme ajo e Max Parrot, i cili u shpall kampion olimpik në garat e Snowboard Slopestyle, falë performancës që u vlerësua me 90.96 pikë.

Parrot është një legjendë e këtij sporti dhe në Olimpiadën e Pyeongchang në vitin 2018 arriti të fitonte medaljen e argjendit. Por, menjëherë pas atij edicioni të Olimpiadës, ai u detyrua të ndërpriste aktivitetin sportiv, për shkak të një tumori në sistemin linfatik.

Pas diagnostikimit me sëmundjen, Max nisi seancat e kimioterapisë. Plotë 12 të tilla, që sipas tij ishin “gjëja më e vështirë me të cilën ishte përballur në jetë”. Megjithatë 27-vjeçari pohonte se e ktheu dhimbjen në forcë psikologjike, duke ndryshuar plotësisht si “njeri dhe si sportist”.

Pas një beteje të gjatë, kanadez arriti të fitonte ndaj sëmundjes në korrik të vitit 2019. Max Parrot iu kthye garave dhe pasi triumfoi në betejën e jetës, tashmë fitoi edhe arin olimpik.

Ai mposhti rivalin 17-vjeçar nga Kina, Su Yiming, i cili vlerësohej edhe si favorit. “Të kthehesh në konkurrim pas tumorit, të kthehesh të garosh në Olimpiadë dhe të fitosh medaljen e artë është e jashtëzakonshme. Jam shumë mirënjohës”, deklaroi Max Parrot. Një histori e pabesueshme, nga ato që mund të ndodhin vetëm në sport. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos