
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës, ku foli në lidhje me tensionet në veri të Kosovës, dhe angazhimin e dy të dërguarve Escobar dhe Lajçak për zgjidhjen e kësaj krizë.
Diplomati amerikan zbulon detaje nga bisedimet mes palëve dhe veçon se problemi qëndron në anën e kryeministrit Kurti, i cili nuk pranon propozimet e dy përfaqësuesve të lartë të SHBA dhe BE për shtensionimin e situatës.
“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë. Ka ulje tensionesh sigurisht nga pala serbe, dhe pritshmëria nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara është që Kosova të bëjë një hap në atë drejtim. Një nga ta është që policia e posaçme të tërhiqet nga veriu. Gjithashtu, kryetarët e komunave duhet të largohen nga ndërtesat komunale dhe kjo duhet të ndodhë në një moment. Dhe çështja e tretë pak më e vështirë, është nëse mund të keni zgjedhje të reja”, tha Hill.
Më tej diplomati amerikan foli dhe për pasojat që mund të kenë dy palët nëse nuk pranojnë kërkesat duke shtuar se nuk ka parë ndonjëherë ndarje kaq të thellë në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit.
“Më duhet të them dhe kërkoj ndjesë që po shprehem kështu por ky është një proces. Dhe kjo nuk do të ndodhë në një moment, por në një periudhë kohore. Por mendoj se zoti Kurti është informuar plotësisht nga ambasadori ynë në Prishtinë, nga zoti Lajçak dhe zoti Escobar, se do të duhet të bëjë disa ndryshime nëse dëshiron të llogarisë tek ne si mik dhe partner. Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë ndarje kaq të thella në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit”, shtoi Hill mes të tjerash për Zërin e Amerikës. (A2 Televizion)