
Pamjet e qytetarëve Ukrainës në strehimet nëntokësore për t’i shpëtuar zjarrit rus, risollën në kujtesë Luftën e Dytë Botërore. Metrotë u kthyen në bunkerë, ku mijëra qytetarë të tmerruar në Kharkiv dhe Kiev, po qëndrojnë prej orësh pa e ditur nëse do të kthehen sërish në shtëpi.
“E gjetëm papritur veten në një realitet të ri. Asnjë vend nuk është më i sigurt. Ne jemi shtet i pavarur, jemi shumë ndryshe nga Rusia dhe nuk duam të jemi pjesë e saj. Nuk e besoj se kjo po ndodh vërtet”, shprehet një banore.
Një ditë më herët, kjo ishte një metro e zakonshme në Karkiv, plot me njerëz që shkonin e vinin nga puna. Sot, është kthyer në vendstrehim nga bombat, me qindra njerëz që kanë frikë për jetën dhe janë të pasigurt për atë që do t'u sjellë e ardhmja. Ajo që thonë shumica e tyre është se nuk kanë ku të shkojnë, se nuk ka mbetur më ndonjë vend i sigurt. Ky nuk është një qytet, i cili ka qenë në frontin e luftës 8-vjeçare me Rusinë. Është një metropol prej 1,4 milionë banorësh që nuk kanë përjetuar kurrë diçka të ngjashme në jetën e tyre.
“Jam shumë i frikësuar për familjen time. Nuk e dimë çfarë do të ndodhë. Askush nuk ka dyshim se kush është përgjegjës për atë që po ndodh, por shumë pak mund të kuptojnë përse”, u shpreh një tjetër banore.
Një lutje e thjeshtë për mëshirë, por që deri më tani ka rënë në vesh të shurdhët. (A2 Televizion)