“Më shau nga nëna, u nervozova dhe e qëllova”... zbardhet dëshmia e vrasësit të Tafçiut

Nga A2 CNN
24 Janar 2020, 10:23 | Kronikë
“Më shau nga nëna, u nervozova dhe e qëllova”...

Noel Dishi u dorëzua një ditë më parë në polici, ku ka rrëfyer pse ka kryer vrasjen e Vilson Tafçiut, mbrëmjen e 20 janarit.

“Me Vilsonin ishim shokë prej vitesh. Nuk kam dashur ta vras. Të hënën shkova për ta takuar. Nuk kam pasur si qëllim ta vras”, mësohet të ketë thënë Dishi gjatë marrjes në pyetje. “Unë lëvizja gjithmonë me armë me vete. Kur e takova ai me shau nga nëna. U ndjeva shumë i ofenduar për shkak të marrëdhënies që kishim pasur. Unë e kam marrë në shtëpi, nuk duhet ta thoshte këtë gjë. U nervozova dhe e qëllova. Pas krimit jam larguar dhe kam qëndruar në një hotel në Kavajë. Jam shumë i penduar për krimin e kryer”.

29-vjeçari nuk ka dhënë detaje pse është prishur miqësia mes tij dhe viktimës, duke thënë se për këtë do të flasë në një moment tjetër, për shkak se është në gjendje të rënduar psikologjike.

Dishi u vetëdorëzua më 23 janar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, sipas Policisë për shkak të trysnisë së ushtruar nga ana e efektivëve, pro edhe si rezultat i bashkëpunimit me familjarët.

Dishi, i cili përdorte edhe disa emra të tjerë, qëlloi disa herë me pistoletë 28-vjeçarin Vilson Tafçiu mbrëmjen e 20 janarit në zonën e Astirit, pranë një lokali. Sipas dëshmive nga vendngjarja autori e ka thërritur viktimën të dalë nga lokali dhe më pas e qëlloi me armë duke e lënë të vdekur në vend.

Viktima, me origjinë nga Dibra, është një emër i njohur për policinë, i cili më 7 mars të vitit 2018 ishte larguar nga Shqipëria drejt Francës, por vetëm pak ditë më vonë, më 12 mars 2018, ai ishte arrestuar nga autoritetet atje për shpërndarje të lëndëve narkotike.

28-vjeçari u dënua me një vit burg, ndërsa pas 8 muajve paraburgim u deportua drejt Shqipërisë, më 6 Nëntor 2018. Pikërisht kjo është një nga pistat e cila po hetohet nga policia, ajo e prishjes së pazareve të drogës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos