
Ishte Noel Disha ai që dyshohet se ekzekutoi Vilson Tafçiun mbrëmjen e së hënës në zonën e Astirit në Tiranë. Është policia që e ka identifikuar 29-vjeçarin si autor të dyshuar të krimit.
Sipas saj, dy të rinjtë janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe më pas Noel Disha e ka qëlluar 28-vjeçarin Tafçiu disa herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Por autori është ende ne kërkim, ndërsa policia vijon kontrollet.
Pak orë pas vrasjes, dëshmitarë në vendngjarje thanë se atentatori ishte një i ri rreth të njëzetave, me mjekër të gjatë, ndërsa hetuesit dyshojnë se ai u ndihmua nga një automjet për t’u larguar nga vendngjarja.
Tafçiu, me origjinë nga Dibra, është një emër i njohur për policinë, i cili më 7 Mars të vitit 2018 ishte larguar nga Shqipëria drejt Francës, por vetëm pak ditë më vonë, më 12 Mars 2018, ai ishte arrestuar nga autoritetet atje për shpërndarje të lëndëve narkotike.
28-vjeçari u dënua me një vit burg, ndërsa pas 8 muajve paraburgim u deportua drejt Shqipërisë, më 6 Nëntor 2018. Pikërisht kjo është një nga pistat e cila po hetohet nga policia, ajo e prishjes së pazareve të drogës. (A2 Televizion)