
Katari do të jetë mikpritës i Kupës së Botës 2022, vendi i parë i Lindjes së Mesme që organizon një event të tillë të futbollit botëror.
Turneu nis më 20 nëntor dhe përfundon me finalen e 18 dhjetorit. 32 ekipe do të marrin pjesë në kampionat, të gjitha në garë për t’i marrë trofeun Francës, që e fitoi atë në 2018 në Rusi, duke mundur në finale Kroacinë me rezultatin 4-2.
Këtë vit, turneu sportiv është zhvendosur për në muajt e dimrit, për të shmangur të nxehtin e Katarit.
Katari, vendi më i vogël që ka organizuar ndonjëherë një turne të të tilla përmasave, po përgatitet po ashtu për të mirëpritur 1,2 milionë vizitorë të huaj gjatë Kupës së Botës. Mijëra fansa pritet të mbërrijnë jo vetëm në Doha të Katarit, por edhe në fqinjët e tij, me pritshmëritë për të nxitur turizmin në Emiratet e Bashkuara Arabe edhe në muajt e dimrit. Nga atje ata do të udhëtojnë më pas drejt Dohas, pasi kjo e fundit ka akomodim të limituar për aq shumë tifozë njëherësh.
Por, çfarë pritet që këta turistë të shijojnë në Katar, përveç futbollit? Katari ka menduar për gjithçka: festivale muzikore, aktivitete kulturore dhe muzeume të reja pritet të çelen, në pritje të turistëve të huaj. Me botën që sytë i ka nga Katari, ky i fundit po përpiqet që të bëjë “shoë” të vërtetë, nga mëngjesi deri në darkë. Qindra hotele dhe komplekse luksoze janë ndërtuar 12 vitet e fundit, pas lajmit se Katari kish siguruar të drejtën për të organizuar Kupën e Botës 2022. Bare, klube nate e resorte ditore buzë detit, muzeume e restorante, janë pjesë e të njëjtës paketë turistike. Përgjatë muajit të kampionatit, janë organizuar 3 festivale të mëdha kombëtare, për të cilat është konfiurmuar prania e grupit “Black Eyed Peas” dhe Armin van Buuren si dhe Enrique Iglesias. Mes DJ me famë boëtore do të luajnë Tiesto dhe Paul van Dyk.
Muzeu ikonik i Katarit, ai i Artit Islamik, është rihapur për publikun që prej fundit të tetorit dhe në ditët e kampionatit të futbollit, pritet të ketë një “boom” turistësh.
Vetë organizatorët e këtyre eventeve, e pranojnë se Katari do të thyejë çdo tabu me mbajtjen e aktiviteteve kulturore e argëtuese, të përshtatshme për të gjithë familjen, e jo vetëm të rinjtë.
Në total, sipas kalendarit, janë organizuar me data dhe orare fikse, 90 evente speciale, përfshirë edhe festivale e performanca në rrugë. Edhe në rrugë madje është menduar krijimi i atmosferës së karnavaleve, me performanca festive, aktivitete kulturore, ushqim tradicional dhe shitje “outlet” për të huajt.
Dhe sigurisht që sfidë në kryeqytetin Doha mbetet siguria, me të gjithë vendin që ka një popullsi prej 3 milionë banorësh, ardhja e 1,2 milionë turistëve të parashikuar është përtej kapaciteteve vendase. Fluksi i lëvizjeve në rrugët e Dohas do të jetë i jashtëzakonshëm, edhe pse testet në rrugët me infrastrukturën kritike tashmë kanë nisur, përfshirë këtu rrugët në qytet, transportin publik, furnizimin me ujë po ashtu.
Punonjësve në administratën publike i është kërkuar që gjatë ditëve të kampionatit të punojnë nga shtëpia, ndërkohë që shkollat, kolegjet dhe universitetet do të qëndrojnë mbyllur.
700 autobusë elektrikë do të vihen në përdorim në Doha, për të shmangur një kolaps të transportit publik.
Janë gati 55 mijë fluturime të rezervuara me “Katar Airëays” për të përballur fluksin e udhëtimeve drejt Katarit.
(A2 Televizion)