Në pritje të ofensivës ruse që pritet me ditë, dyluftimet mbeten të ashpra në frontet kryesore, atë të Luhanskut në afërsi të Kreminna dhe në Donetsk ku lokalitete si Bakhmut dhe Vulehdar tashmë po marrin në sytë e opinionit publik ndërkombëtar domethënien e përgjithshme të masakrës, nga të dy palët.
Pikërisht Bakhmut është një nga çështjet që po tërheq edhe pse nën zë, kritikat e analistëve perëndimorë ndaj strategjisë së Kievit zyrtar.
Trupat ukrainase po fillojnë të vuajnë mungesën e furnizimeve me armë perëndimore, dhe ditën e djeshme sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin nënvizoi në konferencë për shtyp faktin që e koalicionit me 54 shtete që mbështet Ukrainën do vijojnë në muajt në vijim.
Por jashtë kamerave, situata dhe tonet e përdorura janë disi ndryshe. Sipas një raportimi të Washington Post, zyrtarë amerikanë i kanë përsëritur këshilltarëve të Volodymyr Zelensky që mundësia për të mbajtur një qytet si Bakhmut në javët në vijim është e vogël dhe po i kushton qindra jetë në ditë ushtrisë së Kievit.

Jo vetëm, por përqendrimi aty i disa nga forcat më të zgjedhura, ul mundësitë e një kundërpërgjigje të Kievit në pranverë, me objektiv rimarrjen e territoreve të humbura duke filluar nga shkurti i kaluar.
Media amerikane shton se për herë të parë zyrtarët e Uashingtonit i kanë bërë të qartë palës ukrainase që mbështetja e perëndimit do të jetë e gjatë, “por jo e pashtershme”, dhe për këtë arsye Kievi duhet t’i japë prioritet fushatës së pranverës, duke kryer rotacione dhe duke lënë ushtarët të pushojnë dhe te kurojnë plagët e marra.
Situata është delikate për Kievin, siç ka pohuar sot edhe përfaqësuesi i lartë BE-së për politikën e jashtme, Joseph Borrell.
“Rusët kanë tashmë në terren 360 mijë ushtarë, dyfishi nga fillimi i dyluftimeve. Për herë të parë, ka më shumë ushtarë të Moskës sesa të Kievit brenda territorit ukrainas”. (A2 Televizion)