
Në vazhdën e takimeve, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, kandidat për deputet i “Aleancës për Ndryshim”, zhvilloi një takim me qytetarë dhe biznese të njësisë nr.3 në Tiranë.
Në takimin e tij me qytetarët kandidati Mediu e vuri theksin te ndërtimi i një ekonomie të fortë dhe funksionale duke luftuar korrupsionin dhe padrejtësitë të shkaktuara nga qeveria Rama dhe që po shkatërrojnë shtetin dhe familjen shqiptare.
“Ky është një regjim antishqiptar, kundër familjes dhe kundër njeriut. Mbi 70% e të rinjve duan të largohen. Kjo qeveri nuk ka lënë shpresë për vendin, po e dëbon rininë masivisht”, ishin fjalët e liderit republikan.
Gjatë takimit ai u shpreh se Aleanca për Ndryshim duhet të fitojë për të sjellë qeverisjen, lirinë, dinjitetin, ekonominë dhe mbështetjen që shqiptarët duan dhe meritojnë.
Mediu u shpreh para qytetarëve se me taksën e sheshtë 9%, bizneset do të mbështeten më shumë dhe se çdo qytetari do t’i garantohen më shumë të ardhura, dhe se taksat e ulëta garantojnë “një administrim më të drejtë në xhepat e qytetarëve, se sa administrimin për interesa korruptive që bën Rama”. (A2 Televizion)