
Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane, komentoi në studion e “Ditarit” në A2 CNN, fushatën elektorale për zgjedhjet vendore, që do të mbahen më 14 maj.
“Fushata, përveçse e ka bërë më banale retorikën, ka krijuar edhe hendek të madh me qytetarët. Jemi në zgjedhje lokale dhe pritej që kandidatët për bashkitë të shpalosnin platformat dhe të debatonin në publik për zgjidhjet e problemeve. Në mënyrë të qëllimshme, Partia Socialiste ka vendosur që të mos ketë debat mes kandidatëve dhe e ka zhvendosur fushatën në nivel politik, ku shfaqet vetëm Rama si kryetar i të gjitha bashkive”, u shpreh Mediu.
Sipas Mediut, është antiligjore “që të dalë kryeministri dhe të thotë se nuk bashkëpunoj me kryebashkiakët e opozitës”.
“Po të ndodhte në një vend normal demokratik, do të ishte një nga skandalet më të mëdha”, theksoi Mediu.
Në lidhje me përçarjen e Partisë Demokratike, Mediu tha: “Opozita duhet të hapet, nuk duhet ta shikojë ngushtë se ku e kanë vendin disa individë në opozitë, por se ku e ka vendin shoqëria me politikat e opozitës. Gjithashtu, diaspora duhet bërë pjesë domosdoshmërisht e procesit të votimit”. (A2 Televizion)