Hetimet për Hunter Biden, gjykata rrëzon çështjen penale ndaj dy ish-zyrtarëve të FBI-së

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2026, 19:34 | Bota

Hetimet për Hunter Biden, gjykata rrëzon çështjen penale

Një gjykatës federal ka rrëzuar çështjen penale ndaj dy ish-zyrtarëve të lartë të FBI-së, të akuzuar për gënjeshtra para Kongresit lidhur me djalin e ish-presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden.

Të hënën, gjykatësi federal Zia Faruqui vendosi se prokurorët, nën drejtimin e Departamentit të Drejtësisë, nuk kishin prova të mjaftueshme për ta çuar çështjen përpara. Ai shprehu gjithashtu shqetësime se hetimi ishte zhvilluar me nxitim, kishte karakter të hapur politik dhe ishte shoqëruar me “gabime thelbësore”.

Sipas tij, kjo çështje “nuk mund të përshkruhet ndryshe veçse si instrumentalizim i drejtësisë”.

“Nuk do ta fus kokën në rërë dhe të pretendoj se nuk mund ta lexoj kalendarin”, deklaroi Faruqui në sallën e gjyqit, duke iu referuar afërsisë së çështjes me zgjedhjet e mesmandatit. “Nuk do ta çaktivizoj në këtë mënyrë aftësinë time për të gjykuar”.

Çështja lidhej me pretendimet se Nikki Floris dhe Bradley Benavides kishin mashtruar Kongresin në vitin 2023, duke gënjyer për dijeninë dhe përfshirjen e tyre në një hetim lidhur me një kompjuter portativ, për të cilin Departamenti i Drejtësisë ka deklaruar se ishte dorëzuar në vitin 2019 në një servis kompjuterësh në Delaware nga Hunter Biden.

Një agjent i FBI-së, i cili kishte punuar në këtë çështje, dëshmoi se hetimi ndaj Floris dhe Benavides kishte nisur korrikun e kaluar, nën drejtimin e drejtorit të FBI-së, Kash Patel.

Agjencia e lajmeve Associated Press raportoi se kjo çështje pasqyronte ankesat e presidentit Donald Trump dhe aleatëve të tij, sipas të cilëve, gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, të cilat Trump i humbi, ishin fshehur informacione potencialisht komprometuese për familjen Biden.

Megjithatë, Departamenti i Drejtësisë mund të ketë ende mundësinë të kërkojë nga një juri e madhe ngritjen e aktakuzës ndaj dy ish-zyrtarëve të FBI-së.

Pavarësisht kësaj, vendimi i hershëm i Faruquit dhe shqetësimet e tij lidhur me çështjen përbëjnë një pengesë për Departamentin e Drejtësisë.

Gjatë një seance paraprake javën e kaluar, gjykatësi vuri në dukje se Departamenti i Drejtësisë nuk kishte respektuar procedurat ligjore, pasi kishte paraqitur një padi të ndryshuar me një akuzë shtesë pa marrë më parë miratimin e gjykatës për këtë akuzë. Faruqui tha se një veprim të tillë nuk e kishte hasur kurrë më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos