
Udhëheqës të lartë pranë Putinit kanë paralajmëruar për rrezikun nëse Perëndimi vazhdon mbështetjen e tij logjistike për Ukrainën. Ai që ka qenë president i Rusisë në vitet 2008-2012, Dmitri Medvedev, ka qenë njëri prej tyre.
Medvedev, i cili aktualisht shërben si nënkryetar i Këshillit të Sigurimit, i është referuar çështjes përmes një artikulli të botuar për gazetën “Izvestia”, ku ai e ka përcaktuar manovrën ushtarake perëndimore si një “pompim të armëve ndaj regjimit neofashist në Kiev”. Siç thekson ai, nëse ka mbështetje me armë, çdo lloj negociate paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës nuk do të riaktivizohet kurrë.
Në fakt, Medvedev ka shkuar më tej duke deklaruar se nëse nuk ndërpritet furnizimi me armë, “rritet rreziku i një katastrofe bërthamore globale”.
Këto fjalë vijnë disa ditë pasi Putini ngriu në mënyrë të njëanshme traktatin e fundit të çarmatimit bërthamor në fuqi midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë: START III.
Ish-presidenti rus ka kërcënuar Perëndimin, duke krahasuar synimet aktuale ndaj vendit të tij me ato të Shteteve të Bashkuara ndaj Bashkimit Sovjetik. Kështu, ai ka treguar se do të jetë një “gabim jashtëzakonisht i rrezikshëm” nëse aleatët e Organizatës së Atlantikut synojnë t'i japin fund Rusisë “pa gjuajtur asnjë të shtënë”, siç ndodhi me rënien e bllokut sovjetik në fillim të viteve ‘90.
“Armiqtë tanë po bëjnë pikërisht këtë (furnizimin me armë në Ukrainë), duke mos dashur të kuptojnë se objektivat e tyre padyshim do të çojnë në një fiasko totale”, ka parashikuar Medvedev. Ai i ka përshkruar pasojat e përpjekjes për të varrosur Rusinë si “humbje për të gjithë”.
“Kolaps. Apokalips. Derisa të ndalojë rrezatimi përgjatë shekujve”, shprehet Medvedev, i cili bën të qartë se t’i japësh fund një fuqie bërthamore mund të çojë vetëm në luftë bërthamore. (A2 Televizion)