Meksika i kërkon SHBA-së të reformojë politikat e emigracionit, shpresa te Biden

Nga A2 CNN
19 Janar 2021, 07:37 | Bota
Meksika i kërkon SHBA-së të reformojë politikat e

Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, i ka kërkuar SHBA-së të bëjë reforma të mëdha në politikën e saj të imigracionit pasi mijëra emigrantë u bllokuan nga policia në Guatemalë. Ai tha se kishte shpresë që presidenti i zgjedhur, Joe Biden, do të pranonte të punonte me Meksikën dhe vendet e tjera për këtë çështje.

Rreth 7000 emigrantë, kryesisht nga Hondurasi, kanë hyrë në Guatemalë. Ata shpresojnë të udhëtojnë për në Meksikë dhe të arrijnë kufirin e SHBA-së. Çdo vit, dhjetëra mijëra emigrantë të Amerikës Qendrore përpiqen të arrijnë në SHBA, shpesh në këmbë, në grupe të njohura si "karvanë".

Ata thonë se po ikin nga persekutimi, dhuna dhe varfëria në vendet e tyre të lindjes. Kushtet janë përkeqësuar nga shkatërrimi i shkaktuar nga dy uragane të mëdha që goditën Amerikën Qendrore, nëntorin e kaluar.

Të hënën, Lopez Obrador nxiti SHBA-në të reformojë politikat e saj mbi imigracionin. "Unë mendoj se ka ardhur koha që angazhimi për reformën e imigracionit të përmbushet dhe kjo është ajo që ne shpresojmë. Në fushatën e tij Joe Biden ofroi të finalizonte reformën e imigracionit dhe shpresoj se ai është në gjendje ta arrijë këtë. Kjo është ajo që unë shpresoj", tha ai. Më tej, theksoi se qeveria e tij do të përpiqet të largojë emigrantët nga kalimi në Meksikë, por shtoi se të drejtat e të gjithë emigrantëve duhet të respektohen.

Në Guatemalë, të hënën, forcat e sigurisë shkatërruan një karvan me rreth 4000 emigrantë kryesisht nga Hondurasi, të cilët ishin vendosur në afërsi të fshatit Vado Hondo. Dëshmitarët thanë se oficerët u përpoqën ta detyronin grupin të kthehej në drejtim të kufirit të Hondurasit. Emigrantët u shpërndanë, por disa hodhën gurë në drejtim të policisë, e cila iu përgjigj me gaz lotsjellës.

Karvani ishte mbajtur në zonë që nga e shtuna dhe po bllokonte një rrugë kryesore, duke shkaktuar një trafik të gjatë. Përleshjet shpërthyen të dielën, ndërsa disa nga emigrantët u përpoqën të kalonin me vija të policisë.

Duke folur para gazetarëve, ministri i Jashtëm i Guatemalës, Pedro Brolo, i kërkoi qeverisë së Hondurasit të ndihmojë të sigurojë "një vendkalim të rregullt dhe të sigurt për ata që janë në këtë karvan".

Presidenti Donald Trump ka mbajtur një qëndrim të ashpër kundër imigracionit të paligjshëm, veçanërisht përgjatë kufirit jugor të SHBA-së me Meksikën.

Ndërsa Biden ka premtuar t'i japë fund politikave të rrepta të imigracionit të paraardhësit të tij, por administrata e tij, e cila do të marrë detyrën të mërkurën, ka paralajmëruar emigrantët të mos ndërmarrin udhëtimin, sepse politikat nuk do të ndryshojnë brenda natës.

Administrata e Biden do t'u japë përparësi emigrantëve të padokumentuar që jetojnë tashmë në SHBA, jo atyre që shkojnë tani, tha një zyrtar i administratës për NBC News. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos