Meksika, vendi i tretë për vdekshmëri nga COVID-19. Në rrugë shtohen radhët për oksigjenin

Nga A2 CNN
29 Janar 2021, 19:15 | Bota

Autoritetet meksikane kanë deklaruar se vendi i Amerikës Qendrore ka kaluar Indinë si numër viktimash nga pandemia e COVID-19, duke u renditur e treta në botë pas Brazilit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shifrat flasin për 1.8 milion të infektuar, por të paktën 155 mijë viktima, shifër kjo aspak e sigurt, siç tregoi një reportazh i gazetës amerikane New York Times në maj, ku qindra dhe ndoshta mijëra vdekje u fshehën  nga qeveria e presidentit Lopez Obrador, që në mënyrë të ngjashme me kolegun e tij brazilian Bolsonaro ka tentuar gjithmonë të minimizojë impaktin e pandemisë.

Rreth 1200 viktima regjistrohen përditë në vend gjatë javëve të fundit, dhe strukturat spitalore tashmë gjenden në një presion vështirë të përballueshëm. Pikërisht situata në spitale shtyn shumë të infektuar që mos t’i afrohen gjithsesi këtyre strukturave, dhe të kërkojnë mjekime privatisht, ose të bazohen në mjekime popullore,  dhe kjo e ka rritur së tepërmi nivelin e vdekshmërisë.

Mungesa e oksigjenit është një dukuri e dhimbshme, aty ku çdo ditë shihen radhët e familjarëve me bombola, duke pritur me orë të tëra rimbushjen me oksigjen në strukturat përkatëse.

Ndërkohë, çmimet në rritje të oksigjenit zyrtar  kanë shtyrë në krijimin e një tregu të zi të bombolave, treg i kapur nga organizatat kriminale që operojnë në vend, dhe që sipas autoriteteve është ndër shkaqet e shtimit të viktimave, sepse fut në treg bombola të papërshtatshme për lehtësimin e frymëmarrjes, që mund të shkaktojnë efekt të kundërt tek pacientët e dëshpëruar.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos