Bashkëshortja e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong un, nuk është shfaqur në publik për më shumë se një vit, duke bërë që analistët të ngrenë pikëpyetje se çfarë ka ndodhur me “zonjën e parë”.
Ri Sol Ju, e cila mendohet të jetë 32 vjeçe, është shfaqur për herë të fundit në publik më 25 janar të vitit të kaluar. Ajo është gruaja e parë që është shfaqur vazhdimisht në krah të liderit të shtetit komunist, por tashmë ekspertët ngrenë dyshime se ajo e ka humbur këtë “status”, shkruan “nknews”, një media me bazë në SHBA.
“Koreja e Veriut ka shfaqur shpesh imazhe të Kim Jong un së bashku me bashkëshorten e tij, duke treguar se ai është një udhëheqës normal, por tashmë situata ka ndryshuar dhe në plan të parë janë problemet ekonomike dhe me të cilat është duke u përballur ky vend, ndërsa imazhi ka mbetur në plan të dytë”, ka thënë Lim Eul-chul, një profesor i studimeve mbi Korenë e Veriut në Universitetin Kyungnam.
Në anën tjetër, analistët theksojnë se publiku duhet të jetë skeptik mbi pretendimet se Ri Sol Ju mund të jetë në gjendje jo të mirë shëndetësore, pasi ajo edhe më parë ka pasur mungesa të tilla edhe pse jo për një kohë kaq të gjatë. (A2 Televizion)