Afati i transferimeve të dimrit, njësoj si merkato e verës. Skuadra që vazhdojnë të ndryshojnë thuajse plotësisht, jo thjesht duke plotësuar, por në pjesën më të madhe duke përmbysur projektet e fillimit të sezonit.
Edhe janari i 2019-ës paraqiti të njëjtën tablo. Plotë 282 lëvizje futbollistësh në 10 skuadrat e Superiores dhe 20 të Kategorisë së Parë, ku mesatarisht çdo ekip ka transferuar 9,4 lojtarë.

“282 lojtarë janë transferuar në Kategorinë Superiore dhe në Kategorinë e Parë. Mund të themi se është një shifër e përafërt edhe me sezonin e kaluar. Bie në sy lëvizjet që kanë bërë ekipet e Kategorisë së Parë, ndërsa në Kategorinë Superiore ka 88 lëvizje”, tregon Lysien Nurishmi, drejtues i Sektorit të Garave, FSHF.
Kur u mendua se klubet mund të bënin më pak lëvizje, situata ndryshoi në 24 orët e fundit, me një bum transferimesh, thuajse sa një e pesta e numrit total të transferimeve.
“Dje ka pasur një fluks prej 50 apo 60 regjistrimesh. Pati disa transferime të minutës së fundit, nga Partizani, nga Kukësi, nga Kamza. Gjithashtu edhe Kastrioti e Luftëtari kanë bërë goxha lëvizje”, thotë Nurishmi.
Ndryshimet e rëndësishme në projekte nuk kanë munguar: nga ulja e numrit të lojtarëve të huaj, te besimi drejt të rinjve.
“Skuadrat kanë parë më tepër në tregun vendas, pasi janë të paktë lojtarët e huaj që janë transferuar”, tha për A2 Lysien Nurishmi, drejtues i Sektorit të Garave, FSHF. (A2 Televizion)