
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është ndër zonat më të bukura të natyrës shqiptare për të cilën tregohen plot histori. Thuhet se pishën e butë e sollën Cezarët, ndërsa skelën e vjetër të Karavastasë e ndërtuan Sulltanët. Përtej legjendave, pylli dhe laguna janë pasuri e banorëve të Divjakës dhe një pasuri kombëtare për florën dhe faunën e rajonit.
Në perëndim ujërat e kripura dhe laguna në lindje, pylli i pishave të buta, aty ku klima mesdhetare dhuron gati 300 ditë me diell në vit. Jemi pikërisht aty ku zbutej dikur bualli dhe kali i egër dhe do të shohim që ndryshimet klimatike nuk e kanë kursyer as këtë zone të Shqipërisë.
Ky park ka kaluar kohë të mira e të vështira deri në ditët e sotme kur është kthyer në një ndër pikat më të vizituara nga shqiptarët dhe të huajt. Por, çfarë ka ndodhur me florën dhe faunën në pyll dhe lagunë? Mikrofoni i A2 bën jehonën e zërave të menaxherit, specialistit dhe njeriut që jeton prej vitesh me pyllin e lagunën.
Ashtu si ka ndodhur në zonat pyjore të Shqipërisë, edhe pylli i Divjakës është dëmtuar pas vitit 1990. U deshën vite që pylli të rekuperohej dhe sot pishat në pyllin e Divjakës janë po aq të dendura sa më parë. Por, cila është vlera e këtij pylli dhe me çfarë sfidash përballet ky park?
Drejtuesi i Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta flet edhe për sfida të tjera nëpër të cilat ka kaluar parku kombëtar dhe vetë ai si drejtues, ku më kryesoret kanë qenë ndalimi i prerjes së pishave në park dhe ndalimi i gjuetisë pa kriter. Kjo e fundit ka qenë dhe më e vështira, pasi zona Divjakë-Karavasta ishte kthyer në një destinacion gjuetie.
Ndërsa sot nuk flitet për gjueti të organizuar, por vetëm për gjueti sporadike nga individë të caktuar, të cilët nuk i shpëtojnë kontrollit prej menaxherëve dhe rojtarëve të parkut. Madje, në park është ngritur qendra e rehabilitimit të shpendëve. Mjaft zogj, autoktonë por edhe shpendë të dëmtuar nga rajoni, sillen në tendat e posaçme të ngritura në Parkun Kombëtar të Divjakës ku mjekohen, ushqehen dhe marrin kujdesin e duhur deri kur bëhen gati për fluturim.
E vendosur në zemër të Shqipërisë, kjo zonë ka marrë rëndësi të madhe nga pikëpamja turistike, por sigurisht duke zhvilluar një turizëm të kujdesshëm, në miqësi me mjedisin. Edhe drejtuesit e parkut Divjakë-Karavasta kanë qasje pozitive ndaj zhvillimit të turizmit, por janë për një fluks të kontrolluar turistësh në mënyrë që të mos cenohet ekuilibri që ky park tashmë ka arritur.
Le t’i kthejmë fokusin në ndikimin e ndryshimeve klimatike në florën dhe faunën e parkut të Divjakës dhe në veçanti, ndikimi në botën e gjallë të lagunës gjatë viteve të fundit, të cilat kanë shënuar edhe rekorde historike në shkallë globale. Dhe vërtet, megjithëse në përmasa më të vogla dhe kohëzgjatje më të shkurtër, në vitet e fundit janë shtuar goditjet e stuhive tropikale në territorin e Shqipërisë, ku stuhitë më të ashpra janë vrojtuar pikërisht në zonat bregdetare. Stuhi me reshje intensive dhe erë të fortë me shpejtësi edhe 100 kilometra në orë, janë zhvilluar papritur në zonat bregdetare duke shkatërruar çfarë gjenin përpara…
Në kushtet e ndryshimeve të florës dhe ujit të lagunës, duket se ndryshimet kanë prekur edhe botën e gjallë ujore. Sipas peshkatarëve të zonës, peshku në lagunë është pakësuar.
Përveç pishave të Divjakës dhe botës shumë të pasur ujore, mozaikut natyror të lagunës i shtohen kolonitë e shpendëve ku më i famshmi është pelikani. Vitet e fundit, laguna po shërben si shtëpizë për shumë shpendë të tjerë që vijnë të folezojnë këtu në Karavasta. Divjakë-Karavasta është ndër të paktat zona të Shqipërisë që bën pjesë në të gjitha rrjetet ekologjike kombëtare dhe ndërkombëtare. Veçantia e saj qëndron në diversitetin biologjik tokë-ujë, por bota e njeh më tepër për nga bota e pasur e shpendëve që e popullojnë këtë lagunë. Historikun e shpendëve apo ikjet dhe ardhjet e shpendëve të rinj në lagunë e bën për A2 specialisti Mirian Topi.
Pelikani Dalmat ose ndryshe quhet pelikani kaçurrel është autokton në lagunën e Karavastasë dhe cilësohet ndër shpendët më të mëdhenj në botë. Ata fluturojnë në tufë të sinkronizuar mirë dhe hapja e krahëve mes tyre krijon një distance rreth 3 metra. Por, sa herët daton ky pelikan në këtë lagunë?
Të dhënat statistikore nuk janë shumë të pasura në lidhje me pelikanin kaçurrel apo dhe shpendë të tjerë që ndër vite kanë populluar lagunën ose kanë qenë vizitorë të saj. Në fillim të viteve ‘80, kolonia e pelikanit kaçurrel në lagunë ishte 3 herë më e vogël se kolonia e numëruar nga gjahtari britanik Loxh. Pakësimi i shpendëve në përgjithësi, por në veçanti i pelikanit autokton, arriti kulmin pas viteve ’90, duke zbritur në më pak se 20 çifte folezuese. Ndërgjegjësimi nga ana e shoqatave të mbrojtjes së mjedisit dhe botës së gjallë dhe Moratoriumi i Gjuetisë, dhe pse me shumë vështirësi, dhanë rezultate të mira.
A ka patur shpendë të tjerë të cilët kanë qënë banorë të dikurshëm të lagunës por sot nuk shihen më? Apo vendin e tyre e kanë zënë shpendë të tjerë, të ardhur fillimisht si visitorë, por bota e pasur e kësaj lagune i ka mikpritur ata përgjithmonë?
Megjithë kushtet e pandemisë, pranvera e këtij viti i dhuroi shqiptarëve spektakël të flamingove në Nartë dhe Karavasta. Fluturimet e tufave të këtij shpendi mjaft elegant dhe të bukur, pushtuan rrjetet sociale dhe ekranet. Cila është lidhja e flamingos me lagunën e Karavastasë?
Mbrojtësit e shpendëve të lagunës janë përkushtuar shumë për të pasuruar botën e gjallë të saj, sigurisht që kujdesi për mbrojtjen e ekosistemit të këtij parku kombëtar është shtuar, por ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim. Prej vitesh ata punojnë mbi ndërgjegjësimin e shoqërisë për mbrojtjen e parkut dhe në veçanti të shpendëve të lagunës së Karavastasë si edhe bëjnë thirrje për kontribute të çdo lloji për të mbrojtur dhe pasuruar këtë mozaik të natyrës në brigjet e Adriatikut.
Mes forcës së natyrës dhe njeriut, laguna e Karavastasë ka arritur të fitojë, ndaj nëse bëhemi aleatë të natyrës, ajo do të punojë për njeriun. (A2 Televizion)