
Këtë periudhë infektimit nga koronavirusi nuk po i shpëtojnë as personat e vaksinuar me dy dhe tre doza anti-covid. Madje disa prej tyre, mbi të 70-tat kanë përfunduar edhe në spital.
Para spitaleve Covid në QSUT, gjen gjithmonë familjarë të cilët presin lajme për të afërimit e tyre.
“Është me diabet, tension, i ra infarkt në zemër, e mbajtën 1 muaj te 6-katëshi, tani e sollën këtu. Si top futbolli. Ka qenë i vaksinuar me dy doza”, tha një nga nga familjarët.
“Babi ka bërë 2 doza dhe vaksinën e gripit, e shtruan për sëmundje nga mushkëria, por e sollën këtu, ka vuajtur se punonte në minierë, por nuk u kurua se “Shefqet Ndroqi” ishte i bllokuar”, shprehet një tjetër.
Të shtruar në Spitalin Infektiv ka edhe nga ata që kanë marrë të tria dozat e vaksinës.
“Ndenji 4 ditë në shtëpi, por nuk i bën efekt ilaçet e mjekut, e sollëm këtu. Ka marrë të treja dozat, vuan vetëm nga tensioni”, thotë një grua.
“Ka ndenjur 10 ditë në shtëpi se 3 tampona i dolën negative, vetëm kur u bë keq e sollëm, i ka bërë tre vaksina”, shprehet një tjetër.
Në spitalet Covid, janë të shtruar mbi 130 pacientë, thuajse të gjithë në formë të rëndë. Një ditë më parë, drejtoresha e Infektivit, Najada Çomo, deklaroi se pjesa më e madhe e të shtruarve janë të rinj dhe të pavaksinuar.
Deri tani, në spitalet Covid nuk është shtruar asnjë person i prekur rishtas nga virusi dhe që e ka kaluar më parë Covid-in. Aktualisht, vala nga varianti “Omicron” nuk po rëndon situatën më rritjen e shtrimeve në spitale. (A2 Televizion)