
I ftuar në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare, shpjegoi pse Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk i ndryshoi masat shtrënguese, pavarësisht rritjes së infektimeve me Covid-19 në vendin tonë.
“Masat merren gjithmonë në kuadrin e indikatorëve të epidemiologjisë. Duhet pasur parasysh që gjatë një pandemie, ndryshon edhe roli i indikatorëve. Në këtë periudhë nuk ke pse merr masa shtrënguese, pavarësisht shtimit të rasteve, kur numri i të shtruarve në spital është më pak se 200. Është një proces dinamik, që vlerësohet çdo ditë. Ne po mblidhemi pothuajse çdo javë dhe i përshtasim masat”, u shpreh Brataj.
Kur u pyet se çfarë vlere ka mbyllja në orën 23:00, Brataj tha: “Nata ka lokale të dedikuara për dëfrim, të mbipopulluara, ku rrihet shumë afër dhe bërtet për shkak të muzikës. Është edhe koha më e shumtë e qëndrimit në ambiente të ngjeshura dhe të paajrosura. 50% e të shtruarve në spital në vendin tonë, janë nën moshën 50 vjeç”.
Sipas tij, njerëzit duhet të ndërgjegjësohen për t’u vaksinuar: “Unë shpresoj më shumë të ndërgjegjësimi i qytetarëve, të cilët po e shikojnë punën e mjekëve dhe spitaleve. Sa më shumë të mbrohemi, aq më mirë. Për ne, është disfatë që të humbim jetën për një vaksinë”.
Në lidhje me raportimin e “The Economist” për numrin real të viktimave në Shqipëri nga pandemia, që sipas tij është 12 000, Brataj theksoi: “Numri i viktimave, si në shumë shtete që kanë forma të ndryshme të regjistrimit të shkakut të vdekjes, duket në fund të vitit. E rëndësishme është që sistemi shëndetësor t’i përgjigjet patologjisë globale me burimet që ka në dispozicion”. (A2 Televizion)