
Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, përmes një videomesazhi, iu bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, për të vendosur me votë të ardhmen e tyre.
Sipas diplomatit europian, fati i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian varet nga mënyra se si do të zhvillohen këto zgjedhje
“Të dashur miq, sot është fundi i fushatës elektorale në Shqipëri. Nesër është një ditë heshtje dhe për reflektim. Do të shfrytëzoja rastin për të drejtuar një mesazh para ditës së zgjedhjeve. Më 25 prill, ju keni fuqinë të vendosni kush do t’iu përfaqësojë në parlamentin e ardhshëm. Kush do të bëjë ligjet që do të ndikojnë në jetën tuaj dhe kush do të vendosë për reformat e nevojshme për integrimin e Shqipërisë në BE.
Fuqia juaj demokratike qëndron në shprehjen e vullnetit tuaj lirisht dhe me integritet. Vetëm kjo është mënyra se si ju përkujdeseni për komunitetin, familjen dhe të ardhmen tuaj. Në këto zgjedhje fuqia juaj qëndron dhe në zgjedhjen e kandidatit të preferuar që do t’iu përfaqësojë. Nuk mund ta humbisni këtë mundësi, asnjë nuk mund ta marrë votën tuaj. Përparimi i vendit drejt BE varet nga zhvillimi i këtyre zgjedhjeve”, shprehet Soreca. (A2 Televizion)