“Messi meksikan” shkruan historinë, debuton në La Liga në moshën 15-vjeçare

Nga A2 CNN
25 Qershor 2020, 09:50 | Futboll

Minuta e 83-të e Real Madrid-Mallorca ka hyrë në historinë e futbollit spanjoll. Luka Romero u bë debutuesi më i ri në La Liga, në moshën 15 vjeç e 219 ditë.

I quajtur Messi meksikan, sulmuesi luajti disa minuta përballë Realit që do t’i mbajë mend gjatë, pavarësisht se nuk arriti të ndihmonte ekipin e tij, që ndodhej në disavantazhin e dy golave.

Rekordi i mëparshëm mbahej nga Francisco Bao Rodríguez “Sansón”, që debutoi me Celta Vigon në sezonin e largët 1939-1940, në moshën 15 vjeç e 255 ditë.

Luka Romero ka nisur të stërvitet me ekipin e parë të Mallorca në 1 qershor dhe u grumbullua për herë të parë me ekipin në ndeshjen kundër Villarreal. Adoleshentit iu desh një leje e veçantë nga Liga Spanjolle për t’u bërë pjesë e ekipit të parë, pasi, duke qenë se nuk ka mbushur ende 16 vjeç, nuk ka kontratë profesionisti.

I lindur në Meksikë dhe me shtetësi të trefishtë (meksikane, argjentinase dhe spanjolle), sipas trajnerit të dytë të Mallorca, Romero është një numër 10 tipik argjentinas: “mëngjarash, i shpejtë, i zgjuar dhe me grintë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos