
Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana, ka reaguar ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pasi ky i fundit akuzoi këtë bashki për ndotje të mjedisit.
Arbana, me anë të një statusi në Facebook, shkruan se opozita ka nisur tashmë sulmin, ashtu siç kishte planifikuar dhe zjarrvënia ishte e qëllimshme.
“Ujërat e trazuar qëndrojnë në llumin ku burojnë.
Ashtu siç kishte paralajmëruar opozita, muaji shtator do të jetë muaji i sulmit dhe ja ku ndodhi një zjarrvënie e qëllimshme në kontejnerët e mbetjeve urbane në njësinë administrative Gjepalaj.
Sapo morëm informacion dërguam grupin e zjarrfikëseve, sektorin e shërbimeve dhe të gjitha masat e duhura për të mbajtur në kontroll situatën dhe për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Pavarësisht çdo qëllimkeqi që na del përpara ne do të vazhdojmë punën tonë me këmbëngulje, vullnet dhe përkushtim për të përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve të cilëve i shërbejmë.
Opozitës i mbetet të paktën të mësojë nga gabimet e së shkuarës dhe se ku duhet ta drejtojnë pasionin dhe furinë e tyre politike, pa dëmtuar qytetarët.
Ku ka vullnet, ka zgjidhje!
Sapo më njoftuan që qenka arrestuar një person për zjarrvënie të qëllimshme A.Meta (ironia fatit me të njëjtën mbiemër si ish-presidenti)”, shkruan Arbana. (A2 Televizion)