Meta: Dvorani abuzoi me detyrën, po i ruan vetes vendin e fundit në Gjykatën Kushtetuese. Zero mundësi për të dhënë dorëheqjen

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2020, 11:45 | Politikë
Meta: Dvorani abuzoi me detyrën, po i ruan vetes vendin e fundit në

Presidenti Ilir Meta sulmoi edhe një herë kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, duke thënë se po vazhdon të mbajë funksionin edhe pse ndaj tij është ngritur një kallëzim dhe se po punon në kundërshtim me ligjin për të zënë një vend si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

“Ardian Dvoranit duhet t’i ndalohet menjëherë veprimtaria e organizuar kriminale, për vonimin e procesit të plotësimit të kësaj Gjykate, me qëllim që vendin e fundit vakant në të t’ia ruaj vetes”, tha Meta. "Dvorani ka shtrembëruar fakte dhe ka abuzuar me detyrën, me qëllim të qartë që në bashkëpunim me Kuvendin t’i rrëmbenin Presidentit kompetencën e emërimit të anëtarit të radhës të Gjykatës Kushtetuese".

Meta tha se do të marrë pjesë vetë në mbledhjen e Komisionit të Venecias ku do të diskutohet mbi ligjin për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për të shpjeguar me detaje atë që ai e quan kapjen përfundimtare të drejtësisë nga socialistët.

“Rilindja është teatri dhe estrada numër 1 i këtij populli”, tha Meta. “Ky është ligji i “krye-KÇK”, është një përpjekje për ta nxirë fytyrën e Gjykatës Kushtetuese dhe gjithë besimin te drejtësia, pasi nuk duan që anëtarët të kalojnë nga dera e Presidencës dhe të shkojnë me dinjitet në detyrë, duan t’i fusin nga oxhaku i Gjykatës Kushtetuese”.

“Zero mundësi për të dhënë dorëheqjen”

Presidenti tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht përplasjeve të vazhdueshme me shumicën socialiste. “Çdo ditë kem grusht shteti dhe shpopullim. Ka 0 mundësi që për shkak të avancimit të grushtit të shtetit të tërhiqet nga detyra e tij për të mbrojtur shtetin e së drejtës”, tha Meta. “Përpjekja ishte që grushti i shtetit të realizohej që në kohën e votimit të Reformës në Drejtësi, që donin ta bënin duke blerë deputetë dhe shantazhe. Këtë nuk e arritën, por provuan pak e nga pak”.

Paketa anti-KÇK, Meta: Presidenti do të mbrojë Kushtetutën, kërcënohet nga një grup mafioz

Meta e quajti nismën ligjore më të fundit të qeverisë si një përpjekje për grusht shteti. “Nuk ka nevojë për tanke dhe gaz, me ca letra merr në dorë gjithçka. Këtu kemi të bëjmë me një veprimtari të rëndë mafioze dhe çdo ditë do të kemi prova të reja për këtë që po them”, tha ai. “Presidenti ka për detyrë që grushtit të shtetit t’i përgjigjet me dekrete dhe të mbrojë Kushtetutën. Presidenti do të bëjë çdo gjë në mbrojtje të saj dhe të demokracisë, në besnikëri të plotë të të gjithë angazhimeve të tij. Do të përpiqen t’ua largojnë vëmendjen me lloj-lloj shashkash, por duhet të mbrojmë Kushtetutën që kërcënohet nga një grup mafioz, jo nga PS, por një grup që punon kundër interesave kombëtare”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos