
Pas ngjarjes së djeshme, ku administratorit të ekipit “Vllazna” Suad Lici u është gjetur një pako tritoli poshtë makinës, Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, akuzoi Kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, se e kanë lënë Shkodrën zonë të lirë për krimin, i cili siç thotë ajo është i veshur me pushtet në këtë qytet.
“Kërkoj nga të gjitha strukturat e shtetit, të gjitha organeve ligjzbatuese në vend: Reagoni me forcën e ligjit!”, deklaron Ademi.
Ajo nënvizon se kjo është ngjarja e katërt e vendosjes së lëndëve plasëse në Shkodër në më pak se dy muaj, ndërkohë që asnjë nga këto ngjarje nuk është zbardhur.
Sipas kryebashkiakes në detyrë, shkodranët pyesin se kush do ta ketë radhën nesër, pasi siç pohon ajo, krimit duket se në Shkodër i është lënë fushë e lirë veprimi. (A2 Televizion)