
Ilir Meta, vetëm një ditë pas rithemelimit të LSI-së, e cila ndryshoi emër në Partia e Lirisë, me Ilir Metën në krye, ish-presidenti doli në një deklaratë për gazetarët këtë të martë.
Meta tha se tashmë ka hequr kostumin e presidentit dhe ndjehet më i lirshëm për të folur për të gjitha problematikat e vendit.
“Mbrëmë me vendim historik, hapëm një rrugë të re për një forcë të re politike si Partia e Lirisë. Kjo betejë e madhe është e domosdoshme për të rivendosur përfundimisht në vend demokracinë, kushtetutshmërinë dhe për të fituar lirinë të gjithë shqiptarët.
E kemi hequr kostumin që ngrinte gjithmonë atë pyetjen, a i lejohet presidentit të flasë për këtë gjë. Tani jemi pa xhaketë, sot e deri në triumfin e popullit të Lirisë.
Armiku kryesor sot i lirisë, është korrupsioni. Ky korrupsion e ka rënduar situatën e çdo qytetari shqiptar dhe po e përbën këtë familje”, tha Meta.
Më tej, Ilir Meta u shpreh se partia që ai drejton nuk do të bojkotojë asnjëherë zgjedhjet. “Për aq kohë sa unë do të jem lider i saj, kjo parti nuk do të bojkotojë për asnjë sekondë asnjë gjë në këtë vend, aq më tepër në këtë vend. Qeveria do të ikë me zgjedhje ose me protesta. Në demokraci kush ikën nga zgjedhjet është një dezertor, një manipulues”, tha Meta. (A2 Televizion)