“Teatri”, Lleshaj: Policia u pengua me forcë të zbatojë detyrën

Nga A2 CNN
4 Qershor 2020, 10:44 | Politikë
“Teatri”, Lleshaj: Policia u pengua me forcë të

“Nëse do të isha i detyruar të zgjidhja mes qytetarëve dhe policisë, do të rreshtohesha me qytetarët”. Kështu e nisi fjalën ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në interpelancën e thirrur nga opozita në Kuvend, për reagimin e policisë më 17 maj, pas shembjes së godinës së Teatrit.

“Shumica e atyre që kanë bërë kërkesën për interpelancë nuk janë këtu. Unë si ministër i Brendshëm, përgjegjësi të parë kam shërbimin ndaj qytetarëve, në emër të të cilëve jam këtu. Nëse do të isha i detyruar të zgjidhja mes qytetarëve dhe policisë, do të rreshtohesha me qytetarët. Por, që të ndodhë kjo, duhej që policia të vihej kundër tyre, por për sa kohë kjo nuk ndodh, unë jam me qytetarët dhe me policinë, përballë atyre që i kundërvihen ligjit. Kam mirëkuptim të plotë për të gjithë ata që u shqetësuan për zhvillimet e 17 majit, të cilat i dhanë fund me zhurmë historisë së pafat të Teatrit Kombëtar”, u shpreh ministri.

Lleshaj u shpreh se policia u thirr më 17 maj nga Policia  Bashkiake, nga IMT e Tiranës, për të liruar një objekt që ishte pronë e Bashkisë së Tiranës dhe që kontrollohej nga një grup personash, prej 27 muaj, pas asnjë tagër ligjor.

“Kam konstatuar se edhe historia e Teatrit degradoi në një sherrnajë të rëndomtë politike, e cila jo vetëm që ndaloi çdo diskutim konstruktiv për thelbin e çështjesh, por margjinalizoi edhe përfshirjen e atyre personaliteteve që janë vetë teatri. Dua të them se Policia e Shtetit nuk shkoi me iniciativën e saj në mjediset e Teatrit, por u thirr në përmbushje të detyrimit ligjor. Të shqetësuarit, ata hipokritët, por edhe ata që janë të sinqertë, duhet të dinë se policia nuk e ka luksin që të bëjë vetë ligjin, por ta zbatojë atë. Në thelb, ligji e detyron policinë që të përgjigjet ndaj çdo pronari, në rast se prona e tij është zbatuar në mënyrë të paligjshme. Unë besoj se thirrjet patetike, madje dhe histerike, drejtuar policisë për të braktisur detyrën, që përsëriten këtu prej 3 dekadash, ndonjëherë edhe me sukses, janë një ndër problemet e mëdha që duhet të merremi seriozisht. Thirrjet për të hedhur kapelet dëshmojnë se sa larg jemi ne me parimet elementare të funksionimit të shtetit dhe të drejtësisë”, u shpreh Lleshaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos