
Presidenti Ilir Meta i ka shprehur mirënjohjen kongresmenit Eliot Engel, i cili do të lërë kongresin pas 32 vitesh. Ai ka vlerësuar kontributin e tij për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë dhe kontributin për pavarësinë dhe njohjen e Kosovës.
“Përherë mirënjohës mikut të sprovuar të kombit shqiptar, z.Eliot Engel, për mbështetjen e jashtëzakonshme të dhënë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për rolin e rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë, si dhe për kontributin e pakursyer dhe shumë të çmuar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës.
Në një mesazh në rrjetet sociale, kreu i shtetit shprehet se Engel ishte avokat dhe një zë i fuqishëm i shqiptarëve në kongresin Amerikan.
“Avokat i palodhur dhe zë i fuqishëm i shqiptarëve në Kongresin Amerikan, jo vetëm si kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë, z.Engel ka bërë përpjekje të palodhura për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane dhe lidhjes tonë transatlantike.
Si njohës i shkëlqyer i rajonit, z.Engel ka spikatur gjithashtu edhe si përkrahës i angazhimit të vazhdueshëm të SHBA-së për të konsoliduar të gjitha arritjet e deritanishme në Ballkan për paqen, stabilitetin, sigurinë, demokracinë e shtetin ligjor”.
Meta shpreh bindjen se mbështetja dhe bashkëpunimi i tij do të vazhdojnë dhe në të ardhmen, në interes të forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. (A2 Televizion)