
Kryeministri Edi Rama, duke bërë bilancin e sezonit turistik, u shpreh se “ne kemi të gjitha mundësitë që ta shikojmë atë që do të jetë Shqipëria e vitit 2030 si një potencë turistike në rajon”.
“Sezoni ka qenë surprizues sa i përket flukseve të të ardhurave për ekonominë. Kemi kaluar 1 miliard të ardhura nga turizmi në 6-mujorin e parë, pothuajse dyfish krahasuar me vitin e kaluar. Kemi pasur diversifikim shumë domethënës të fashave të vizituara nga veriu në jug dhe një prurje shumë inkurajuese për zonën veriore, falë investimeve që kemi bërë për të përmirësuar infrastrukturën në ato zona. Tirana ka pasur bum të jashtëzakonshëm turistësh, që kanë preferuar Tiranën dhe qëndrimin në Tiranë”, tha Rama.
“Sot, Shqipëria “nxjerr kokën” në të gjitha mediat e huaja që shkruajnë për turizmin. Rekomandohet që të vizitohet vendi ynë dhe ky është ndryshim epokal. Ne kemi të gjitha mundësitë që ta shikojmë atë që do të jetë Shqipëria e vitit 2030 si një potencë turistike në rajon. Nuk e ekzagjeroj kur them potencë turistike, me 25-30% pjesëmarrje të turizmit në ekonominë tonë”, shtoi kryeministri. (A2 Televizion)