Presidenti Meta i ka dërguar një letër eurokomisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ku shprehet i keqardhur sa i përket progres raportit të fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Çfarë ka shqetësuar presidentin është një fjali e raportit në lidhje me konfliktin për Gjykatën Kushtetuese, që i atribuohet një interpretimi të ndryshëm të presidentit. Në letrën e tij, Meta pranon konfliktin, por thekson se është mazhoranca socialiste ajo që ka një interpretim ndryshe të procedurës së emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk mund të fsheh keqardhjen për “fotografimin e fakteve në lidhje me procesin e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht që ka një konflikt, por për shkak të interpretimit të ndryshëm të ligjit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e shumicës socialiste, që kërkon të kapë Gjykatën Kushtetuese”, shkruan Meta.
Presidenti i kërkon Brukselit që të mbajë përzemër interesat e popullit shqiptar dhe paralajmëron: “Çdo mbështetje që gërryen më tej demokracinë dhe shtetin e së drejtës në vendin tim, do të përshkallëzojë krizën aktuale dhe do të inkurajojë shpopullimin e Shqipërisë”.
Ndërkohë që siguron se do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të Gjykatës Kushtetuese, Meta nënvizon se mbi shqetësimet e tij ende nuk ka marrë asnjë përgjigje nga EURALIUS, misioni që këshillon autoritetet mbi çështjet e drejtësisë. (A2 Televizion)