
Presidenti Ilir Meta dhe përfaqësuesit e opozitës po lobojnë kundër hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.
Kjo ishte akuza që drejtoi sot nga foltorja e Kuvendit kreu i grupit kuvendor socialist, Taulant Balla. Qëndrimin e tij, Balla e argumentoi me vetë rrëfimin që kishte marrë nga krerët e diplomacisë së 4 vendeve të Bashkimit Evropian.
“Bashkë me kolegët e opozitës parlamentare jemi ndjerë të trishtuar nga qasja që presidenti një orë para takimit me ne kishte pasur me 4 krerët e diplomacive. A thua kishin takuar presidentin e një vendi kundërshtar me Shqipërinë. Një president që kishte hedhur vrer mbi Shqipërinë. Unë e kuptoj strategjinë politike të gjithkujt, por duhet të kemi qasje që shpreh dashuri për vendin tonë. Si me lloj-lloj letrash drejtuar presidentëve apo kryeministrave të vendeve të BE-së, Ilir Meta bashkë me ndonjë faktor tjetër të opozitës, e më vjen keq si përfundoi PD-ja të jetë shtojcë e Metës, ka një përpjekje për të dëmtuar vlerësimin që dha KE-ja të hënën dhe që ne mezi presim që më 26-27-28 mars të marrim një lajm pozitiv”, u shpreh Balla.
I menjëhershëm reagimi nga Partia Demokratike, me anë të Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi: "Taulant Balla është mësuar të jetë shtojcë e krimit, përmes të cilit ka vënë pasuri të paligjshme. Ai as nuk mund ta kuptojë, as nuk mund ta pranojë që ne, qytetarët e lirë të këtij vendi, të bëjmë çdo sakrificë për mbrojtjen e Kushtetutës. Skllavi i krimit, që nisi karrierën politike i sponsorizuar nga trafikantë droge dhe vazhdon si i tillë, është i dështuar në diversionin e tij banal. Është detyra jonë që, si evropianë të vërtetë, të mos heqim dorë nga mbrojtja e të drejtave themelore dhe nga mbrojtja e kushtetutës". (A2 Televizion)