
“Qytetarët duhet të votojnë individin dhe jo siglën e partisë”. Këtë thirrje bëri në studion e “Dita jonë” kandidati i Bindjes Demokratike për Korçën, Leonard Olli.
“E rëndësishme është që qytetarët të shohin individin, nuk mund të jemi si partitë e majta që votojnë siglën. E djathta është vlerë, ideologji, pastërti e figurës dhe vijimësi. Nuk ka të bëjë vjetërsia në moshë, por në mendjet tona.”
Edhe pse Bindja Demokratike është e qasur ndaj elektoratit të djathtë, Olli thekson se i drejtohet çdo shqiptari që kërkon ndryshimin përfundimtar absolut dhe jo thjesht rrotacionin, pasi vendi ndodhet në diktaturë urie dhe në prag të shtetit policor. Sipas tij, Bindja Demokratike kërkon heqjen e kryetarokracisë dhe heqjen e kompetencave të kryeministrit.
“Oferta jonë është se ne jemi të qasur me elektorat të djathtë për shkak të trashëgimisë dhe besimit tonë politik, por 15 vitet e fundit kanë dëshmuar sa ka ardhur dhe është shuar koncepti i ideologjive dhe ne kemi një votues të hutuar që nuk di ç’të bëjë dhe prandaj gjendja është në vendnumëro. Ne i drejtohemi çdo shqiptari që është dakord me ndryshimin përfundimtar. Jemi e vetmja parti që hymë në zgjedhje, kemi material të detajuar në 24 tetor 2019 në komisionin e reformës ku kërkonim ndryshim themelor të saj, por edhe të kushtetutës që lidhej drejtpërdrejt, që dy partitë e mëdha refuzuan t’i marrin në shqyrtim dhe kjo është ajo që ne u paraqesim shqiptarëve, ndryshim absolut. Heqjen e të gjitha meritave që mund të ketë kryetarokracia, dhe heqjen e kompetencave të kryeministrit që është i paprekshëm. Pse nuk i ndryshuan këto? Po nëse nuk do ishin partitë e tjera, çfarë do të ndodhte në Shqipëri? Do të kishim bojkot masiv? Morën pushtetin nuk duan t’i ndryshojnë gjërat se presin radhën. Ne nuk vuajmë për programe ekonomike, por te mentaliteti. Ne jemi në diktaturë urie dhe në prag të shtetit policor.”
Olli shprehet optimist dhe krenar që pas dy vitesh pasi u anatemuan nga kundërshtarët, hynë në zgjedhje duke thyer tabunë për të përmbysur këtë sistem përmes zgjedhjeve. Sipas tij, nëse edhe opozita e cila dogji mandatet, nëse do të kishte hyrë në zgjedhje sot do të kishte një pjesë të madhe të bashkive dhe do të kishte situatën në kontroll.
“Në raport me shumë forca të tjera politike dhe tradicionale jemi jo thjesht optimistë, por ndihemi dhe krenarë, se sot pas 2 vitesh pasi u anatemuam për paterica, trajlera, traget të kundërshtarëve tanë natyralë dhe hymë në zgjedhje duke thyer tabunë, se sado i deformuar është ky sistem, ta përmbysim po nëpërmjet zgjedhjeve, dhe nëse e kuptojmë që është e pamundur atëherë padiskutim që duhet një rezistencë. Por, nuk ka rrugë të tjera, o nëpërmjet sistemit që u deformua rrugës, ose nëpërmjet përplasjes. Ne menduam që nuk ishte koha e përplasjes dhe opozita e sotme e vetëdeklaruar - se të jesh në opozitë duhet ta meritosh - do kishte një pjesë dërrmuese të bashkive”.
Sa i takon bashkëpunimit me Topallin, ai thotë se do të ketë bashkëveprim në zona të caktuar për të mos dëmtuar njëri-tjetrin, por thotë se risia e Bindjes Demokratike është edhe gara mes njëri-tjetrit.
“Besojmë në bashkëpunim strategjik, në zona të caktuara do kemi bashkëveprim për të mos dëmtuar njëri tjetrin. Ne kemi një garë me kundërshtarët dhe brenda nesh. Ne jemi partia që sjell risinë”.
Nëse Bindja do të ketë një votë për formimin e qeverisë, Olli shton se do të bashkëpunojnë me atë forcë që mundëson ndryshimin e sistemit, kushtetutës dhe ligjit të partive politike.
“Jemi në udhëkryq të madh në 30-vjeçarin e një demokracie në forcim, që në vend të forcohemi, po dobësohemi dhe vitet e fundit jemi në stanjacion. Nëse do jemi në gjendje të kemi një votë qeveriformuese, ndryshimin e kushtetutës, sistemit, ligjit të partive politike. Nuk është më çështje me PD dhe për aq kohë sa dy partitë e mëdha kanë humbur orientimin e tyre ideologjik, ne do të mbështesim atë forcë që pranon për të ndryshuar Shqipërinë.” (A2 Televizion)