
Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, i ftuar në studion e “Absolut 4”, u shpreh se partitë e reja janë ato që i frikësohen më shumë parregullsive në zgjedhje.
“Zgjedhjet tona kanë qenë problematike, sidomos në 10 vitet e fundit. Partitë e reja janë shumë më të frikësuara nga tjetërsimi i votës, pasi çakejtë e politikës vjedhin njëri-tjetrin, por më shumë partitë e vogla. Ka disa rrethana që neve na bëjnë pak më optimistë se herët e tjera, pasi konteksti politik është i tillë që palët nuk janë të interesuara që të kenë zgjedhje të këqija. Edhe Kodi Elektoral, që ishte një lloj akrobacie, sërish prania e votës preferenciale bën që të ketë më shumë prozhektorë për vëzhgimin e zgjedhjeve. Por, në rast se zgjedhjet preken, të jeni të sigurtë që do t’i prekin të njëjtat parti politike që i kanë prekur më parë. Qeveria është ajo që i prek më shumë, por edhe forcat e tjera politike nuk e kanë mbajtur dorën te partitë e reja. Shpresoj që të jenë zgjedhjet e fundit që bëhen me komisionerë politikë”, deklaroi Patozi.
Sipas tij, “Partia Demokratike, për fat të keq, në 5 qershor zgjodhi që Shqipëria të ngelte siç ishte, pa aktorë të rinj politikë”.
“Ajo donte të ngelej tek për tek me mazhorancën. Që nga ajo ditë, nuk kemi pasur më asnjë kontakt. Ne nuk kemi keqardhje për këtë. Ky është problem i PD-së në radhë të parë dhe atyre të tjerëve që e konsiderojnë veten si opozita e bashkuar”, shtoi Patozi.
Ndërsa, analisti Lutfi Dervishi nënvizoi se “ato që përmendi zoti Patozi si elementë pozitivë, janë shenja, por nuk përbëjnë garanci” për zgjedhje të ndershme.
“Nuk është fjala se çfarë do të ndodhë në datë 25, sepse në atë ditë nuk do të ndodhë gjë, por çfarë do të dalë më pas me përgjime e akuza”, nënvizoi Dervishi.
Sipas analistit të A2, Afrim Krasniqi, tha se Sshpresën e zgjedhjeve nuk e sheh te partitë politike, por te institucionet. Gjithashtu, kritikoi partitë e reja politike se ata e konsiderojnë gabimisht veten sikur sot kanë nisur të jetojnë në Shqipëri.
Patozi: S’kemi dalë të vrasim “bajlozin e zi”, por duam që kryeministrin ta fusim në “kafaz”
Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ishte i ftuar mbrëmjen e së enjtes në Absolut 4, nga ku foli për zgjedhjet e 25 prillit dhe pritshmëritë që ai ka.
Ndër të tjera, ai theksoi se problemi në Shqipëri qëndron te sistemi dhe te drejtësia, e cila nuk funksionon, sipas tij. Patozi theksoi se synimi i Bindjes nuk është rrëzimi i një personi dhe ardhja e një tjetri, por duhet ndryshuar ambienti politik, tha ai.
“Shpëtimin nuk e kërkojmë te partitë politike, por te institucionet. Diferenca mes nesh dhe Kosovës bëhet sepse ka një sistem më të hapur dhe një drejtësi më korrekte, e cila funksionon. Këtu mungon drejtësia dhe pjesa tjetër që e kemi sistemin të mbyllur dhe të kapur nga partitë kryesore. Nuk jemi as naivë dhe as patetikë. Ne nuk kemi dalë për të përmbysur malet. Ne nuk duam të gënjejmë askënd në këtë projekt politik. Ne kemi hyrë për t’i dhënë një goditje kryetarokracisë. Është një regjim që 3 persona bëjnë gjithçka në çdo kapilar të jetës në vend.
Ne nuk kemi dalë të vrasim “bajlozin” e zi, por për t’i krijuar një të çarë. Rrëzimi i një personi dhe ardhja e një tjetri nuk ndryshon gjë, por duhet ndryshuar ambienti politik. Mazhoranca që do të dalë pas zgjedhjeve duhet të ketë nevojë për ne. Ne duam që kryeministrin e Shqipërisë ta fusim në kafaz”, tha Patozi.
Patozi: Presidenti, më i shqetësuar për zgjedhjet sesa gruaja e tij
Astrit Patozi, koordinator i Bindjes Demokratike, komentoi në studion e “Absolut 4” në A2 “përplasjet” e Presidentit Ilir Meta me mazhorancën.
Sipas Patozit, “Presidenti ka rol qesharak në këtë konflikt”.
“Në konfliktin permanent mes palëve, edhe ndërhyrja e Presidentit mungonte. Në këtë rast, është një figurë komike, pasi Presidenti është njeriu më i painteresuar për zgjedhjet. Edhe gruaja e tij është më e qetë para zgjedhjeve sesa vetë ai”, u shpreh Patozi.
Analisti Lutfi Dervishi nënvizoi se “Presidenti ka dalë nga kostumi i tij, që kur opozita doli nga Parlamenti”.
“Presidenti është përpjekur që nga ai moment që të bëjë opozitën”, u shpreh Dervishi.
Erion Tase, nga Akademia e Studimeve Politike, deklaroi se “kjo nuk është Presidencë e njëjtë me ato të mëparshmet. Ka dalë pak nga roli pajtues, por kjo pasi edhe të gjitha pushtetet kanë dalë pak nga roli i tyre. Ky është i vetmi justifikim i daljes së Presidentit nga roli i tij kushtetues”.
Patozi: Nuk kemi nevojë për Skënderbe e Hamza, por për udhëheqës normalë
Koordinatori i Bindjes Politike, Astrit Patozi, u shpreh se politika jonë nuk ka nevojë për Skënderbe, por për udhëheqës normal.
“Nuk ka nevojë politika shqiptare për Skënderbe dhe Hamza, por për udhëheqës normal. Po bëjmë ç’është e mundur që njerëzve t’iu hapim një dritare tjetër për të parë ndryshe politikën. Të tre aktorët kryesorë e kanë provuar pushtetin dhe opozitën. Nëse ne nuk do të ishim, ambienti politik do të ishte njësoj si në 2017-n, kur u bë një marrëveshje e fshehtë dhe e shpifur”, deklaroi Patozi.
Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri nuk pranohet, pasi humbësi nuk ka dëshirë që të largohet nga kryesimi i partisë: “Ne e dimë paraprakisht se rezultati nuk pranohet, pasi humbësi nuk do që të mbajë përgjegjësi dhe të ikë nga partia”.
Në një lidhje me Skype, analisti i A2, Afrim Krasniqi vuri në dukje se “partitë e reja nuk kanë kapacitet për të konkurruar në nivel kombëtar”, pasi, sipas tij, “duhet të jesh pjesë e koalicioneve dhe duhet të kesh kandidat kudo në vend”.
“Është një ligj i bërë në mënyrë të tillë që penalizon partitë e vogla”, tha Krasniqi.
Patozi u përgjigj se kjo është një sfidë e vështirë, por deklaroi se ka besim që do t’ia dalë: “Ne nuk kemi zgjedhje tjetër, është sfidë e vështirë që e kemi marrë përsipër, do t’ia dalim, edhe pse forca jonë kombëtare nuk është e ngjashme me partitë tradicionale. Nëse arrijmë ta çajmë digën, pastaj rrjedha e ujit është e pandalshme. I dimë vështirësitë tona, i dimë problemet, por do ia dalim sepse besojmë që mjafton vendosmëria, këmbëngulja, që ti jep alternativë të re. Ne ofrojmë kandidatura pa asnjë lidhje me të shkuarën komuniste; asnjë dosje korruptive nuk ka asnjëri prej nesh; secili prej nesh merr përgjegjësi, duke qenë të gjithë në listë të hapur. Do të kemi 12 kandidatë, mandatin do ta marrë ai që merr më shumë vota”.
Patozi: Kemi marrëveshje me Topallin, synojmë të jemi forcë përcaktuese qeverisëse
Ndër të tjera, i ftuar në “Absolut 4” në A2 këtë të enjte, Astrit Patozi, koordinator i Bindjes Demokratike, u shpreh se ka një marrëveshje edhe me Jozefina Topallin për zgjedhjet e 25 prillit.
“Me zonjën Topallin kemi arritur një marrëveshje që të mbështesim njëri-tjetrin ose të mos e dëmtojmë njëri-tjetrin në këto zgjedhje. Megjithatë, ne jemi më vete në këto zgjedhje”, tha ai.
Ndërkohë, analisti Lutfi Dervishi vlerësoi realizmin e Bindjes Demokratike teksa futet në këto zgjedhjeve. “Kemi të paktën 7-8 parti të reja që pretendojnë revolucionin, por ajo që më pëlqen te Bindja është realizmi, kur Patozi u shpreh se nuk do të shembim malet”.
Më tej, Dervishi e pyeti Patozin se kë do të donte ai të kushtëzonte pas zgjedhjeve të 25 prillit. “Sigurisht qeverinë Basha, megjithë rezervat që kam. Ne do të bëjmë detyrën tonë dhe ata të tyren. Dëshira jonë është të arrijmë rotacionin. Ne kërkojmë që listat të jenë të hapura, që pushteti i kryeministrit të kushtëzohet. Ne nuk besojmë te revolucioni. Mendojmë se Shqipëria mund të ndryshojë duke u përfshirë, duka marrë pjesë, duke e sjellë ndryshimin brenda institucioneve. Ne synojmë të jemi forcë përcaktuese qeverisëse”, tha Patozi.
Patozi në “Absolut 4”: Largohem nga politika nëse nuk realizohen objektivat e Bindjes Demokratike
“Në rast se objektivat e Bindjes Demokratike nuk realizohen, Astrit Patozi largohet nga politika, jo vetëm nga Bindja Demokratike”.
Kështu u shpreh koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, në studion e “Absolut 4”.
“Parlamenti nuk do të ketë vetëm 3 ngjyra, do të jetë më shumë se 3-ngjyrësh. Në rast se objektivat e Bindjes Demokratike nuk realizohen, Astrit Patozi largohet nga politika, jo vetëm nga Bindja Demokratike. Unë do t’i qëndroj fjalës sime, siç kam bërë gjatë gjithë jetës sime politike. Unë do të kandidoj vetëm në Qarkun e Tiranës sepse barazia në garë duhet të jetë jo vetëm për zgjedhësit, por edhe për garuesit. Nuk është e drejtë që unë të kem shanse më shumë se të tjerët te Bindja Demokratike. Në rast se do ta fitoj mandatin, do e ushtroj me përgjegjësi. Nëse dikush tjetër merr vota më shumë se unë, do e dorëzoj me ceremoni mandatin tim”, tha Patozi.
Sipas tij, “politika shqiptare nuk ka “fair play”. Një gjë kemi të sigurtë, edhe pse nuk e dimë rezultatin e zgjedhjeve, dimë që ky rezultat nuk do të njihet. Ne do të ushtrojmë me përgjegjësi aq mandate sa shqiptarët do të na besojnë, si në qeveri, si në opozitë”. (A2 Televizion)