
Është zhvilluar sot në Këshillin e Lartë Gjyqësor seanca përmbyllëse, lidhur me kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për shkarkimin e gjyqtarit Markelian Kuqo.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, në fjalën e tij pas paraqitjes së konkluzioneve tha se veprimet e magjistratit, Markelian Kuqo, kanë cenuar besimin që duhet të përcjellë te publiku, në përmbushjen e misionit dhe rolit të tij në dhënien e drejtësisë, si dhe kanë diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit.
“Veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistratit Markelian Kuqo kanë cenuar besimin që magjistrati duhet të përcjellë te publiku në përmbushjen e misionit dhe rolit të tij në dhënien e drejtësisë; kanë diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit dhe kanë ulur dinjitetin e organit që përfaqëson, duke e bërë atë të padenjë për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të magjistratit”.
Sipas Metanit, nuk mund të veprojë në mënyrë arbitrare dhe të gjykojë rastet duke u bazuar në preferencat personale.
Magjistrati e ushtron funksionin në mënyrë të pavarur, por ai nuk mund të veprojë në mënyrë arbitrare dhe të gjykojë rastet duke u bazuar në preferencat personale, interesin vetjak apo keqbesimin, por vetëm duke u bazuar në legjislacionin në fuqi dhe duke e interpretuar atë në varësi të rrethanave konkrete të një çështjeje gjyqësore të caktuar.
Pavarësia që i njihet magjistratit nuk është një qëllim në vetvete, një privilegj personal, por është një mjet për të mbrojtur publikun, që kërkon dhe pret drejtësi.
Pavarësia e magjistratit shkon përkrah dhe balancohet nëpërmjet një sistemi llogaridhënieje, përgjegjshmërie dhe ndëshkueshmërie”. (A2 Televizion)