
Nga parketi në pistë. Basketbolli bëri që arritjet e tij të jenë të padiskutueshme, por tanimë ka vendosur të sfidojë veten në një disiplinë tjetër, në rol drejtuesi. Po flasim për Michael Jordan, legjendën amerikane të koshit që ka vendosur të themelojë një skuadër me të cilën do të konkurrojë në garat e Nascar, një nga pasionet e tij të vjetër.
Jordan kërkon të lërë gjurmë në një tjetër sport, si dhe t’i japë mundësinë më shumë njerëzve me ngjyrë të jenë pjesë e garave.
Për këtë arsye, ish-ylli i Bulls ka marrë në skuadrën e tij Bubba Wallace, të vetmin pilot me ngjyrë në garat e Nascar. Ky i fundit ka qenë në qendër të vëmendjes një vit më parë, kur u hamendësua se u bë viktimë e një krimi racial.
6 herë kampioni i NBA do të bashkëpunojë për skuadrën e re me 3 herë fituesin e Daytona 500, Denny Hamlin. Detajet e tjera si emri i skuderisë, numrat e makinave, infrastruktura apo sponsorat për ekipin që do të nisë të garojë në Nascar prej vitit të ardhshëm, Jordan ka vendosur t’i zbulojë në data të mëvonshme. (A2 Televizion)