
Java e gjashtë e Serisë A nisi me përballjen Spezia-Milan, të cilën kuqezinjtë e fituan jo pa vështirësi.
Pas një pjese të parë që u mbyll në barazim pa gola dhe me Spezian më të rrezikshme, pjesa e dytë nisi në mënyrën perfekte për ekipin e drejtuar nga Stefano Pioli. Një krosim i Kalulut nga e djathta u dërgua në rrjetë nga Daniel Maldini, i cili debutimin e tij si titullar me Milanin e kurorëzoi me një gol të bukur me kokë.
Në përpjekje për të barazuar rezultatin, trajneri i vendasve aktivizoi edhe Rey Manajn, i cili luajti 25 minuta. Në minutën e 80 Verde barazoi, pasi goditja e tij u devijua nga Tonali, duke nxjerrë jashtë loje portierin Maignan.
Menjëherë, Pioli futi në lojë Brahim Diaz dhe spanjolli ia shpërbleu me golin e fitores në minutën e 87.
Me këtë fitore, Milan ngjitet përkohësisht në krye të Serisë A, me 16 pikë, në pritje të ndeshjes që Napoli do të luajë ndaj Cagliari. (A2 Televizion)