Milani “dërrmon” ekipin e Berlusconit, Interi i “çmendur” triumfon në sekondën e fundit

Nga A2 CNN
22 Tetor 2022, 23:24 | Futboll
Milani “dërrmon” ekipin e Berlusconit, Interi i

Ekipet milanezë fitojnë ndeshjet e tyre të sotme në Serie A, por në mënyrë praktikisht të kundërt.

I vetmi emocion në ndeshjen e “San Siro” ishte rikthimi i Silvio Berlusconit dhe Adriano Gallianit në Milano si kundërshtarë, pasi kanë shënuar historinë e kuqezinjve dhe pjesën më të madhe të fitoreve ndërkombëtare.

Por ekipi i Stefano Pioli, tashmë në dorë të investitorëve amerikanë të Red Bird, nuk pati asnjë mëshirë për krijesën e re të ish-kryeministrit.

Golat erdhën menjëherë me Brahim Diaz që shënoi dygolësh në pjesën e parë dhe Origi dhe Leao në të dytën, ndërkohë që Ranocchia shënoi golin e vetëm për Monzën në rezultatin 4-1 final.

Ndërkohë në Firenze spektatorët asistuan një ndeshje dramatike, me shtatë gola, shumë raste të tjera dhe polemika.

Interi nisi më së miri duke kaluar në avantazh të dyfishtë falë golave të Barella në minutën e dytë dhe një perlë të Lautaro Martinez në të 15-ën.

Fiorentina ngushton rezultatin me penallti për një faull të Di Marco, që mund të merrte edhe një karton të kuq për ndërhyrjen e tij.

Ekipi i Italiano arrin barazimin me një goditje fenomenale të Ikone në minutën 60, ndërkohë që Interi përgjigjet me një penallti që merret dhe realizohet nga një Martinez në formë botërore, në minutën 73.

Kur gjithçka dukej e mbyllur, gjithçka kishte ende për të ndodhur.

Pas një presioni të gjatë, me ekipin e Simone Inzaghi në një fazë tepër mbrojtëse, goli i pashmangshëm vjen nga i shumë kritikuari Jovic, në minutën e 90-të.

Kur të gjithë, në fushë dhe në tribuna ishin të përgatitur me ndarjen e pikëve, i vetmi që mendonte ndryshe ishte Mkhitaryan, që shënon në minutën 95 duke lënë pa fjalë ekipin pritës. Milani ngjitet në kuotën e 26 pikëve në vend të parë për momentin me Napolin, ndërkohë Interi kap kuotën e 21 pikëve në vend të shtatë, por ende mund të shpresoj p\r një rikthim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos