Tashmë Mike Maignan është zyrtarisht portieri i ri i Milanit, duke zëvendësuar Donnarumma-n, të cilit një ditë më parë, Maldini i uroi suksese në të ardhmen e tij, duke zyrtarizuar largimin.
Maignan, me origjinë nga Guiana Franceze, i lindur në vitin 1995, la Lille pasi u shpall kampion i Francës dhe ka nënshkruar tashmë një kontratë 5-vjeçare me kuqezinjtë, e cila do të përfundojë më 30 qershor 2026. Maignan do të jetë edhe me kombëtaren e Francës në Kampionatin Europian. Me Milanin, ai do të mbajë veshur fanellën me numër 16.
I rritur në akademinë e PSG, me të cilët nënshkroi edhe kontratën e tij të parë si profesionist, ai pati kontakte edhe me Ibrahimovic, në kohën kur suedezi luante me atë ekip, ndërsa tashmë do ta rigjejë atë te Milani.
Për këtë transferim, Milani pagoi 13 milionë euro plus 2 milionë bonuse të Lille. (A2 Televizion)