Milani fiton ndaj Spezias në minutën e 88 falë një kryevepre të Giroud, që kujtoi shumë gjestet e kolegut Ibrahimovic, kur ishte ende në formën e tij optimale.
Fitorja 2-1 projekton kuqezinjtë në vendin e dytë të renditjes, 6 pikë nga Napoli kryesues, pas një përballje ndoshta më të vështirë sesa pritej në “San Siro”.
Milni kalon në avantazh pothuajse menjëherë me Theo Hernandez, por nuk përfiton nga superioriteti teknik, dhe rrezikon në kundërsulm shpesh herë, me disa raste të gabuara nga sulmuesi kundërshtar Nzola.
Në pjesën e dytë, stadiumi bie në heshtje nga lojtari më i pamenduar, Daniel Maldini, djali i legjendës milaniste Paolo, sot drejtues i klubit.
Djaloshi rrezikoi të vështirësonte shumë ecurinë e ekipit të zemrës në kampionat, pasi edhe pse i rrezikshëm, Milani nuk gjen shtegun e duhur, dhe kur kjo ndodh, goli i Tonalit anulohet për një faull të mëparshëm të sinjalizuar nga VAR.
Kur gjithçka dukej e shkruar, është veterani Olivier Giroud që shënon me një asist të Tonalit që francezi zbukuron me një gjysmë roveshatë në ajër, që nuk i lë asnjë mundësi kundërshtarëve. Nga gëzimi i madh, Giroud heq fanellën duke harruar se kishte karton të verdhë, dhe arbitri i pamëshirshëm e largon me të kuqen. Por nuk ka vend për mërzi, sepse goli i tij mban të pacenuara mundësitë e Milanit për titull. (A2 Televizion)