Miliona euro kokainë, heroinë dhe kanabis, kapen tre grupe shqiptare në Greqi

Nga A2 CNN
25 Prill 2019, 14:46 | Kronikë

Tre grupe trafikantësh shqiptarë janë vënë në pranga nga autoritetet greke, të akuzuar për trafikim kokaine, heroine dhe kanabisi në sasi të mëdha. Në pranga janë vënë edhe pjesëtarët e një bande iraniane, të cilët sillnin heroinën nga vendi i tyre për t’u shitur më pas me pakicë në tregun grek.

Pesë shqiptarë u arrestuan si pjesë e grupit të parë, që vepronte në disa zona pranë Athinës, ku mendohet se kanë siguruar të ardhura në mbi 1 milionë euro. Gjatë operacionit u zbuluan edhe dy laboratorë droge, ku narkotikët paketoheshin dhe bëheshin gati për shitje. Në total, u sekuestruan 44,5 kg heroinë, para, pistoleta, makina, motorë dhe celularë.

Grupi i dytë i të arrestuarve transportonte kokainë dhe kanabis nga Shqipëria për në Greqi me taksi. Një 46-vjeçar shqiptar u arrestua dhe u sekuestruan si provë materiale mbi 817 kilogramë kanabis dhe 7,5 kilogramë kokainë. Edhe në këtë rast, sipas mediave greke, të ardhurat e gjeneurara nga trafiku kalonin 1 milionë euro.

Grupi i tretë i ndaluar, më i vogël në përmasa, merrej me shitjen e kokainës dhe kanabisit brenda zonës së Pireut, ku kishin ngritur edhe një serrë për kultivimin e marijuanës. Përveç se 13 pjesëtarëve të arrestuar, në total këtij grupi iu sekuestruan 10,6 kilogramë kanabis, 84 gramë kokainë dhe 51 rrënjë marijuane, pushkë, granata dhe peshore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos