
Shqipëria është ndër vendet e pakta në botë që nuk e ka të përcaktuar ligjërisht minimumin jetik, e thënë ndryshe sa para’ i duhen minimalisht një shqiptari për të jetuar. Institucioni i Avokatit të Popullit hodhi për konsultim publik draft-raportin e ri për minimumin jetik në Shqipëri. Sipas dokumentit, vlera e përllogaritur në këtë studim të minimumit jetik të nevojshëm në Shqipëri, është 17 875 lekë.
E ftuar në studion e “A2 Business”, Avokati i Popullit, Erinda Ballanca, u shpreh: “Qëllimi i raportit nuk ishte përcaktimi i minimumit jetik, por të përcaktohet një metodologji mbi bazën e të cilës të llogaritet kjo shifër vit për vit. Si dhe çdo element tjetër si ndihma ekonomike, pensioni minimal, ndihma për fëmijët pas një divorci. Kemi pajtuar 3 ekspertë për hartimin e këtij raporti, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara. Kjo shifër del mbi bazën e një metodologjie, por nuk është e thënë që kjo metodologji duhet marrë edhe nga qeveria”.
Sipas Ballancës, “shteti duhet t’i garantojë një jetesë dinjitoze qytetarëve të vet”.
“Vlera e llogaritur prej nesh është bërë mbi bazën e asaj që quhet varfëri absolute. Kemi llogaritur kufirin minimal të kalorive që duhet të marrë një njeri në ditë dhe kemi llogaritur edhe nevojat për shërbimet minimale. I kemi mbledhur të dyja dhe ka dalë një vlerë e tillë. Në llogaritjen tonë kemi marrë ushqimet e shportës, shpenzimet minimale për ushqim”, theksoi Avokati i Popullit. (A2 Televizion)