Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar zgjatjen e misionit paqeruajtës në Liban deri në fund të vitit 2026, kur do të fillojë një “tërheqje e sigurt dhe e rregullt” njëvjeçare.
Pesëmbëdhjetë vendet miratuan projektrezolutën franceze unanimisht pasi arritën një kompromis me Shtetet e Bashkuara.
Versioni i fundit i tekstit “i bën thirrje UNIFIL-it të ndërpresë operacionet e tij më 31 dhjetor 2026 dhe të fillojë tërheqjen e sigurt dhe të rregullt të personelit të tij nga ajo datë brenda një viti, në konsultim të ngushtë me Qeverinë libaneze”.
Qëllimi është “ta bëjmë qeverinë e Libanit garantuesen e vetme të sigurisë në Libanin jugor”, theksohet në tekst. Shtetet e Bashkuara, aleatët e Izraelit, e kanë vënë vazhdimisht në pikëpyetje efektivitetin e veprimit të UNIFIL.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar dhe ndërprerjen e misionit të OKB në Kosovë, UNMIK. Por ende nuk ka një vendim të qartë se kur mund të përfundojë ky mision. (A2 Televizion)