“Zotri Basha dyert në OVL-UÇK nuk i ka të hapura. Jo vetëm ai, por edhe njerëzit si soji i tij. Ata mund t’i kenë dyert e hapura në Serbi”, tha kreu i OVL-UÇK, Hysni Gucati.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës kërkon shkarkimin e menjëhershëm të Dimal Bashës nga posti i kryetarit të kuvendit, si dhe nisjen e hetimeve ndaj tij nga prokuroria.
“Kategoritë e dala nga lufta e UCK-së kërkojnë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës shkarkimin e menjëhershëm të Dimal Bashës dhe nisjen e hetimeve nga prokuroria e shtetit të Kosovës. Arsyet dihen, pjesëmarrja në luftë speciale propagandistike kundër UÇK-së dhe Republikës së Kosovës dhe nën dy lidhja personale dhe bashkëpunimi me persona të dyshimtë përfshirë bashkëpunëtorët nga Maqedonia e Veriut të cilët ndikojnë negativisht në zhvillimin dhe integritetin e vendit tonë. OVL-UÇK kërkon përgjegjësi të plotë dhe veprime të menjëhershme nga autoritete për mbrojtjen e të vërtetesës dhe nderin e luftës së UÇK-së. Nëse nuk përfillen kërkesat tona, ne si kategori të dala nga lufta e UÇK-së obligohemi të ndërmarrim veprime të tjera”, shton Gucati.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK, shton se kryeparlamentari Basha nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për atë që ka shkruar vetëm përmes një deklarate. Gucati tha se përveç ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, ka edhe dëshmitarë të tjerë në Gjykatën Speciale nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Dimal Basha në vitin 2012 me një punim shkencor të tij I cili quan UCK-në se ka bashkëpunuar me dilerë të drogës. Është një gënjeshtër apo shpifje e tyre, ashtu siç e ka zakon LVV-ja. Në atë parti politike ne e dijmë që kanë edhe dëshmitarë në Gjykatën Speciale. Duke filluar nga Donika Gërvalla që ka dorëzuar dokumentacione në atë kohë që vetë e ka pranuar. Të tjerët që do të dalin me emra. Nuk do të fshehim më asgjë nga askush, sepse nuk kemi frikë prej askujt”, shtoi ai.
Të mërkurën mediat raportuan për një hulumtim, ku bashkautor është kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ku ndër të tjera përmban shkrime kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (A2 Televizion)